Studimi i ri zbulon pasuritë minerale të Hënës

  • A.P /
  • 02 October 2025 - 09:00
Studimi i ri zbulon pasuritë minerale të Hënës

Para se të fillojë dërgimi i anijeve kozmike për të nxjerrë metale të çmuara nga asteroidët, sasi të mëdha metalesh të çmuara mund të gjenden edhe në Hënë, sipas një studimi të fundit.

Metalët e grupit të platinit, përfshirë platinën, paladiumin dhe rodiumin, mund të jenë të shpërndarë në rreth 6.500 kraterë të krijuar nga goditjet e asteroidëve në Hënë, sipas një studimi të publikuar në revistën Planetary and Space Science.

 

Nxjerrja e mineraleve nga hapësira është bërë një ide gjithnjë e më e popullarizuar vitet e fundit, me disa kompani që kërkojnë pjesë në një industri potencialisht trilionë dollarëshe.

Shkencëtarët dhe investitorët e interesuar thonë se kjo mund të përfitojë njerëzimin, pasi sasia e metaleve të arritshme në koren e Tokës është e kufizuar, raporton Independent.

“Një e teta e hekurit në Brezin e Asteroidëve është mbi një milion herë më e madhe se të gjitha rezervat aktualisht të vlerësuara të xeheve të hekurit në Tokë, dhe mund të mjaftojë për shekuj,” thekson një studim i mëparshëm i nënshkruar nga astrofizikani Martin Elvis.

Tani, studiuesit thonë se kraterët e Hënës mund të përmbajnë metale të çmuara me vlerë triliona dollar, “me vlera një deri në dy shkallë më të mëdha sesa numri i asteroidëve afër Tokës që përmbajnë minerale”, siç shkruajnë ata.

Misionet e planifikuara për nxjerrjen e mineraleve në Hënë mund të sjellin gjithashtu përfitime shtesë, si zhvillimi i teknologjisë për nxjerrjen e ujit, që mund të përdoret për eksplorime të mëtejshme hapësinore.

Në studimin e ri, shkencëtarët analizuan kraterët e krijuar nga përplasjet e asteroidëve në Hënë për të vlerësuar sasinë e metaleve të grupit të platinit që ka të ngjarë të gjenden në sipërfaqen e saj.

Ndërsa shumica e asteroidëve që përplasen me Hënën tentojnë të avullohen, pjesë të rëndësishme të tyre mund të mbijetojnë në kushte të caktuara, sipas shkencëtarëve. Në kraterët e mëdhenj dhe kompleksë mund të gjenden mbetje të tilla të asteroidëve.

Për sa kraterë bëhet fjalë? Rreth 6.500 kraterë hënorë me diametër mbi një kilometër mund të përmbajnë metale të grupit të platinit. Nëse flasim për kraterë shumë të mëdhenj, me diametër mbi 19 kilometra, janë rreth 40 të tillë.

Ndërkohë, deri në 3.350 kraterë me diametër mbi një kilometër mund të përmbajnë ujë, si edhe 20 kraterë me diametër mbi 19 kilometra.

Sipas studiuesve, këto të dhëna sugjerojnë se “mund të jetë më e leverdishme, dhe rrjedhimisht më fitimprurëse, të nxirren asteroidët që janë përplasur në Hënë sesa ata që ndodhen në orbitë”.

(Kosova Sot Online)