
Lexoni edhe:
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump
Sinjalet akustike kanë qenë tregues të rëndësishëm gjatë misioneve të NASA-s në Mars. Matja e zërit mund të japë informacion si për vetë planetin Mars, për shembull për turbulencat në atmosferën e tij, ndryshimet e temperaturës dhe kushtet e sipërfaqes, ashtu edhe për lëvizjen e robotëve eksplorues.
Për t'i shfrytëzuar sa më mirë këto matje, nevojitet një kuptim i saktë i mënyrës se si përhapet zëri në Mars. Charlie Zheng, profesor i inxhinierisë mekanike dhe aerohapësinore në Universitetin Shtetëror të Utah-ut, dhe studenti i tij i doktoraturës, Hayden Baird, prezantuan punën e tyre mbi simulimin e përhapjes së zërit në Mars në Takimin e Gjashtë të Përbashkët të Shoqatës Akustike të Amerikës dhe Shoqatës Akustike të Japonisë, që u mbajt më 1–5 dhjetor në Honolulu, Havai.
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump
Lexoni edhe:
"Presim që ky studim të na japë një kuptim më të thellë për ndikimin e motit dhe terrenit në përhapjen e zërit në mjedise që nuk maten lehtësisht," tha Zheng. "Mjedisi i Marsit është një prej tyre."
Puna e Baird-it dhe Zheng-ut përdor matjet e NASA-s për kushtet atmosferike dhe terrenin në Mars, shumica e të cilave janë modeluar më parë me rezolucion në shkallë metrash. Ata kishin gjithashtu në dispozicion dhjetëra vite të dhëna mbi përbërjen dhe vetitë e atmosferës së planetit të kuq, si dhe studime sizmike që matin porozitetin e tokës, të gjithë faktorë që ndikojnë në mënyrën si përhapet zëri.
"Ndërtimi i modelit të simulimit të përdorur në këtë studim mbështetet fort në rezultate të mëparshme nga disa disiplina shkencore," tha Baird.
Duke u përqendruar në kraterin Jezero, vendin ku u ul dhe ku po eksploron që nga viti 2021 moduli Perseverance i NASA-s së bashku me helikopterin Ingenuity, studiuesit simuluan mënyrën se si zëri lëviz dhe shpërndahet në terrenin e ndërlikuar të rajonit, qoftë nga burime të palëvizshme apo në lëvizje. Kjo do t'i ndihmojë ata të kuptojnë se si krahasohen atmosferat e tjera me tonën.
Studiuesit shpresojnë që modeli i tyre të ndihmojë në identifikimin e sinjaleve dhe modeleve që tregojnë ngjarje të veçanta atmosferike në Mars. Në planin afatgjatë, ai mund të ndihmojë edhe në projektimin e sensorëve për misione të ardhshme drejt planetëve ose hënave të tjera për të studiuar kushtet atmosferike.
"Ky studim është një fillim për të eksploruar shumë fusha të mundshme të kërkimit planetar," tha Zheng.
(Kosova Sot Online)