Receta e Cekës: Salmon i pjekur në furrë

  • 07 qershor 2019 - 08:32
Receta e Cekës: Salmon i pjekur në furrë

PËRBËRËSIT:

Salmon 2 kg, 1 qepë e vogël, 2-3 thelpinj hudhre, 3 dcl verë të bardhë, sallatë të gjelbër ose 100 gr fletë mëlmesash të gjelbra, 300 gr majonezë, piper të bardhë, flegra limoni.

Salmoni pastrohet nga të brendshmet dhe me kujdes i largohet lëkura në mënyrë që të mos dëmtohet mishi. Kriposet dhe lyhet me vaj duke e fërkuar nga të gjitha anët. Qepa pritet në tetë pjesë, kurse hudhrat grimcohen dhe hidhen anash salmonit. Shtohet vera dhe salmoni i marinuar qëndron 2-3 orë i mbuluar në enë ku do të piqet. Nxehet furra në 180 gradë C dhe futet salmoni i mbuluar me folie për t’u pjekur për 40 minuta. Largohet folia dhe vazhdon pjekja edhe 10-15 minuta. Pasi të ftohet pak, me kujdes vihet në pjatë ovale të nxehtë ku do të shërbëhet. Ndërkohë përgatitet salca. Bluhen në blender fletët e gjelbra. Shtohen majoneza, piperi i bardhë, lëngu i limonit dhe rregullohet me kripë. Përreth salmoni zbukurohet me gjelbrime, flegra limoni, kurse në mes në formë shiriti, vihet salca e përgatitur. Në sosier shërbehet salca e mbetur, e përgatitur me majonezë. Salmoni marinohet dhe përgatitet edhe në këtë mënyrë: Në 5-6 lugë salcë soje shtohet xhenxhefil në rende dhe lëngu i 1 limonit të gjelbër. Salca derdhet në qeskë najloni dhe në të futet salmoni. Mbyllet qeska dhe tundet andej- këndej në mënyrë që salmoni të laget nga të gjitha anët me salcë. 1 kg patate të ëmbla lahen, fshihen dhe futen në furrë të nxehtë që të piqen 50 minuta. Pas 1 orë, salmoni i marinuar kriposet, vendoset në tigan të nxehur mirë dhe, sa të rreshket nga të dyja anët 5 minuta, futet në furrë të nxehtë për t’u pjekur 15 minuta. Ndërkohë priten shumë imët speca të kuq, speca të gjelbër djegës, karotë, disa fletë mente të prera imët e perime të ndryshme. Në enë të vogël hidhen vaj ulliri, 1 lugë mustardë, kripë, lëng limoni, përzihen mirë dhe hidhen mbi sallatë. Sallata përzihet me kujdes dhe me këtë sallatë mbushen patatet e ëmbla të pjekura, të prera dhe të hapura në mes. Salmoni i skuqur pritet në copa dhe servohet me patate të mbushura me sallatë.

(Kosova Sot Online)