Receta e Cekës: Sherden

  • A.P /
  • 30 qershor 2020 - 07:36
Receta e Cekës: Sherden

Përbërësit:

• 3 qepë, • 1 karotë, • rrënjë selinoje, • 1 lugë gjalpë, • të brendshmet e qengjit (mëlçi, mushkëri, zemër, veshkë), • pëlhurë qengji, • 2 lugë supe oriz, • 1/2 tubë majdanoz, • kripë, piper, specall, fletë dafine. • 3 vezë, • 4-5 lugë kos, • 2 thelpinj hudhre.

Fërgohen qepët e prera imët dhe karota e selinoja e kaluar në rende gjersa të zbuten. Veçan zihen ushkëritë, zemra dhe veshkët e prera në copa të vogla. Pasi të zbuten pak, shtohen mëlçia e prerë në kubikë të vegjël, dafina dhe së bashku zihen edhe 5 minuta.

Orizi i pastruar zihet në ujë të njelmët 10 minuta, pastaj shpërlahet me ujë të ftohtë dhe kullohet mirë. Qepës së fërguar i hidhen specall, të brendshmet e skuqura, orizi gjysmë i zier, piper, majdanoz i prerë imët dhe kripë sipas shijes.

Pëlhura futet në ujë të nxehtë, kullohet mirë, shtrihet dhe pritet në disa pjesë në formë katërkëndëshi. Në çdo pjesë vihet nga mbushja e përgatitur, pastaj mbështillen sarmat të cilat vendosen në enë qelqi të rezistuar në zjarr.

Hidhet pak verë e bardhë ose ujë i vakët dhe ena futet në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për 20 minuta. Sipas dëshirës mund t’i hidhen vezët me kos. Shtohen hudhrat e shtypura, kripë dhe kjo masë hidhet mbi sherden. Futet prapë në furrë për t’u pjekur edhe 5 minuta gjersa të mpiksen.

(Kosova Sot Online)