Receta e Cekës: Bukë si ylber

  • E.K /
  • 30 October 2020 - 08:43
Receta e Cekës: Bukë si ylber

Përbërësit:

Baza: 250g miell, 5g maja e thatë (ose gjysmë pakete e vogël), 300g ujë ose lëng, (lëngu përftohet nga shtrydhja dhe kullimi direkt i perimeve të freskëta, si spinaq, mente, borzilok, domate, speca, lakër të kuqe, karota, etj.). Ose mund ta përziejmë ujin për t’i dhënë ngjyra me shafran, kurkuma, curry, kafe, kakao, lëng të zezë sepje, lëng lëkure patëllxhani. Përdorni fantazinë tuaj, ½ lugë kafe sheqer, 2 lugë kafe kripë, 1lugë gjelle vaj vegjetal ose ulliri.

Përgatitja:

Përzieni ujin ose lëngun e vakët (jo të nxehtë) me majanë dhe sheqerin, pastaj lëreni të pushojë për 10-15 minuta. Shtoni miellin, kripën dhe vajin dhe bëni një brumë të fortë (si brumë byreku). Bëni çdo brumë që doni me ngjyra të ndryshme, veç e veç – mos bëni një brumë të bardhë dhe ta ngjyrosni me vonë. Lëreni çdo brumë të vijë rreth 1 orë ose derisa të dyfishohet në volum. Mbulojeni me një pecetë ose mbështjellëse plastike në një vend të ngrohtë.

Bëni të paktën 5 brumëra me shije dhe ngjyra të ndryshme. Hapeni çdo brumë në formë të njëjtë drejtkëndore – p.sh. 10x20cm – dhe vërini shtresat njërën sipër tjetrës sipas fantazisë suaj në ngjyra. Pritini në rripa prej 3cm për së gjati dhe rrotulloni çdo rrip në anë, formë spirale. Keni fituar kështu 3-4 bukë të cilat i vëmë në tepsi dhe i lëmë të vijnë edhe një herë. Furrën e kemi nxehur mirë në 220 gradë para se t’i vëmë bukët të piqen në tepsi, për rreth 30-40 minuta.

(Kosova Sot Online)