Ushqimet që e luftojnë dhembjen

  • 19 June 2019 - 13:56
Ushqimet që e luftojnë dhembjen

Shkenca ka zbuluar se dhembja, pos me ilaçe, mund të zbutet, apo edhe të largohet, edhe me disa gjësende ushqimore

QERSHITË

Të dobishme kundër: artritit, dhembjes muskulore Doza: 45 kokrra në ditë Përbërësit e qershive, të quajtur antocianine, janë antioksidues të fortë, të cilët e largojnë dhembjen në dy mënyra. “Ato e bllokojnë inflamacionin dhe inkibojnë enzimat e dhembjes, sikur aspirina dhe antiinflamatorët e tjerë josteroidë”, thotë Muraleedharan Nair, doktor i shkencave në Universitetin e Miçiganit. 

JOGURTI

I dobishëm kundër: sindromës së zorrëve irritabile (IBS) Doza: 1-2 gota në ditë Rreth 20% të amerikanëve, që vuajnë nga sindroma IBS, dhembja e barkut është përditshmëri e mërzitshme. Por, ndihma mund të vijë nga miliona baktere. Disa lloje të baktereve, që rëndom gjenden në jogurt (sidomos B. infantis dhe L. acidophilus), e zvogëlojnë dhembjen, inflamacionin dhe fryrjen e barkut. 

XHENXHEFILI

I dobishëm kundër: migrenës, artritit, muskujve të ndezur Doza: ¼ lugë të çajit në ditë Kjo mëlmesë-rrënjë dihet se është e dobishme kundër vjelljes dhe nauzesë. Por, është parë se xhenxhefili është efikas edhe kundër dhembjes. Një antiinflamator natyror, ai mund ta largojë dhembjen te migrena, artriti dhe te kalljet e muskujve. Xhenxhefilin mund ta përdorni si mëlmesë, por edhe të bëni çaj nga zierja e tij. 

SALMONI, HARENGA, SARDELET

Të dobishme kundër: dhembjes së shpinës, qafës, nyjave Doza: 2-3 shujta në javë Konsumimi i peshqve të pasur me thartira yndyrore omega-3 dhe me sasi të vogla të merkurit, mund të ndihmojë në largimin e dhembjes së shpinës. Thartirat yndyrore Omega-3 ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe në zvogëlimin e inflamacionit të nervave. 

KAFJA

E dobishme kundër: dhembjes së kokës Doza: deri 4 kafe në ditë Kafja nuk është vetëm e mirë për të na kthjellur në mëngjes. Ajo është edhe ilaç. “Kafeina ndihmon në zvogëlimin e dhembjes duke ngushtuar enët e zgjeruara të gjakut, të cilat shoqërojnë dhembjen e kokës”, thotë Dr Andrew Weil, nga Qendra e Arizonës për hetime mjekësore. Por, mos e teproni, meqë sasitë e tepërta të kafeinës e shtojnë dhembjen, në vend se ta largojnë atë. 

SPECAT DJEGËS

Të dobishëm kundër: artritit Doza: gjysmë luge të çajit të specave djegës në formë biberi Derisa na e kallin gojën dhe lukthin, specat djegës na e largojnë dhembjen. Përbërësi i specave djegës, i quajtur kapsaicinë, i stimulon mbaresat nervore, duke liruar substancën kimike e cila zbutë sinjalet e dhembjes. Në disa vende në barnatore ka edhe krem nga kapsaicina, e cila përdoret për lyerje nga personat që vuajnë nga artriti.   

(Kosova Sot Online)