Studim: Izolimi ua dëmtoi fëmijëve të folurit dhe shkathtësitë gjuhësore

  • E.K /
  • 27 prill 2021 - 10:40
 Studim: Izolimi ua dëmtoi fëmijëve të folurit dhe shkathtësitë gjuhësore

Sipas hulumtimeve, po shtohen dëshmitë që tregojnë se viti i kaluar me izolim të popullsisë ka pasur ndikim në aftësitë gjuhësore të fëmijëve.

Të dhënat nga 50.000 nxënës dhe një anketë e shkollave në pjesë të ndryshme të Anglisë kanë treguar rritje të numrit të fëmijëve 4- dhe 5-vjeçarë që kanë nevojë për ndihmë me gjuhën, shkruan BBC.

Dëshmitë tregojnë se zhvillimi i dobët i të folurit mund të ketë efekte afatgjata në të nxënë. Qeveria britanike thotë se do të investojë 18 milionë funte në të nxënët e hershëm, përfshirë ndihmën shtesë për nxënësit që ende nuk e kanë nisur klasën e parë.

Hulumtimi i Fondacionit për Ndihmë në Arsim sugjeron se masat që janë marrë për ta luftuar pandeminë i kanë privuar fëmijët e vegjël nga kontakti social dhe përvojat që janë thelbësore për pasurimin e fjalorit.

Mungesa e kontaktit ose kontakti i paktë me gjyshërit, distancimi social, mungesa e takimeve për lojëra me fëmijët tjerë dhe vendosja e maskave në publik i kanë lënë fëmijët më pak të ekspozuar ndaj bisedave dhe përvojave të përditshme.

Nga 58 shkollat që ishin të përfshira në anketë në pjesë të ndryshme të Anglisë, 76 për qind thanë se nxënësit që e nisën shkollën në shtator të vitit 2020 patën nevojë për më shumë përkrahje rreth komunikimit sesa në vitet paraprake.

(Kosova Sot Online)