Në SHBA paralajmërohet për lidhje të mundshme mes vaksinës J&J dhe një sëmundjeje të rrallë

  • G.G /
  • 13 July 2021 - 08:57
Në SHBA paralajmërohet për lidhje të mundshme mes vaksinës J&J dhe një sëmundjeje të rrallë

Rregullatorët amerikanë kanë shtuar një paralajmërim të ri në vaksinën kundër koronavirusit, të kompanisë Johnson & Johnson, pasi është krijuar një lidhje e mundshme në mes të vaksinës dhe një sëmundjeje të rrallë neurologjike të quajtur Sindromi Guillain-Barre.

Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka bërë të ditur këtë paralajmërim më 12 korrik, mirëpo në të njëjtën kohë ka thënë se ende nuk është e qartë nëse vaksina po ndikon që njerëzit të përballen me këtë Sindromë.

Njerëzit me këtë sëmundje të sistemit imunitar përjetojnë dobësim të muskujve dhe në disa raste edhe paralizë.

Ky vendim është marrë pasi Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe, si dhe Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë pranuar rreth 100 raportime nga njerëzit që kanë simptoma të këtij Sindromi, pasi kanë marrë vaksinën nga J&J.

Pothuajse të gjithë personat janë hospitalizuar dhe një person ka vdekur, ka njoftuar Administrata për Ushqim dhe Ilaçe.

Shumica e rasteve të raportuara kanë qenë burra – pjesa më e madhe 50 vjeç apo më të moshuar – dhe zakonisht dy javë pas vaksinimit.

Numri i rasteve të raportuara dhe të lidhura me vaksinën, përfaqëson një shifër tejet të vogël, në krahasim me 13 milionë amerikanë që kanë marrë vaksinën e kompanisë J&J.

Zyrtarët shëndetësorë besojnë se përfitmet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.

(Kosova Sot Online)