Pfizer dhe BioNTech nisin testet klinike për vaksinën kundër Omicron

  • A.P /
  • 25 janar 2022 - 16:05
Pfizer dhe BioNTech nisin testet klinike për vaksinën kundër Omicron

Pfizer dhe BioNTech kanë nisur testet klinike për versionin e ri të vaksinës kundër Omicron, sipas një njoftimi për shtyp ditën e sotme. Studimi do të vlerësojë sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, si një dozë primare dhe një dozë përforcuese tek 1,420 të rritur të shëndetshëm të moshës 18 deri në 55 vjeç.

Studimi është i ndarë në tre grupe:

Pjesëmarrësit në grupin e parë kanë marrë dy doza të vaksinës aktuale Pfizer të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të marrin një ose dy doza të vaksinës kundër Omicron.

Pjesëmarrësit në grupin e dytë kanë marrë tre doza të vaksinës aktuale Pfizer të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të marrin një dozë të vaksinës aktuale Pfizer Covid-19 ose vaksinës specifike të Omicron.  Pjesëmarrësit në grupin e tretë nuk janë vaksinuar kundër Covid. Ata do të marrin tre doza të vaksinës kundër Omicron.

Vaksina specifike për Omicron do të administrohet fillimisht  si një dozë 30 mikrogram, e njëjtë me vaksinën aktuale, raporton abcnews.al

“Ndërsa studimet aktuale dhe të dhënat reale kanë treguar se dozat përforcuese ofrojnë mbrojtje të lartë kundër sëmundjes së rëndë dhe shtrimeve për shkak të Omicron, ne e dimë se duhet të përgatitemi nëse mbrojtja nga vaksina zbehet me kalimin e kohës dhe për të ndihmuar në shënjestrimin e Omicron dhe varianteve të reja në të ardhmen”, tha Kathrin Jansen, e cila  udhëheq departamentin për hulumtime dhe zhvillim të vaksinave në Pfizer.

Gjithashtu sipas një studimi të ri, antitrupat kundër Omicron janë ende aktive edhe 4 katër muaj pas dozës së tretë të Pfizer.

(Kosova Sot Online)