Mos vallë nuk duhet të hamë kurrë më ëmbëlsira?! Studimi i fundit zbulon të dhëna interesante

  • E.K /
  • 01 October 2022 - 16:12
Mos vallë nuk duhet të hamë kurrë më ëmbëlsira?! Studimi i fundit zbulon të dhëna interesante

Ushqimi ndikon në mikrobiomën në zorrën e trashë - e kështu edhenë shëndetin tonë. Eksperimentet me minj tregojnë se, sheqeri vret baktere të caktuara të zorrës së trashë, që parandalojnë obezitetin dhe sëmundjet.

Çokolata, biskota e ëmbëlsira – të gjitha këto shijojnë, por nuk janë të shëndetshme. Që konsumimi i tepërt i sheqerit është i dëmshëm për shëndetin, kjo dihet dhe është tashmë një realitet jo i këndshëm. Po ashtu konsiderohet e sigurt edhe njohuria, që ushqimi ynë lë gjurmë në organet tona të aparatit të tretjes, e kësisoj influencon edhe jetën e baktereve që gëlojnë në zorrën tonë.

Studiuesit e Columbia University në Nju Jork së fundi kanë publikuar në revistën shkencore.

“Cell”, një studim që tregon se si ndikon sheqeri në mikrobiomën e zorrës së trashë te minjtë – e kjo madje me pasoja për sistemin imunitar. 

Baktere të mira, baktere të këqia

Në zorrën e trashë jetojnë bakteret, që janë përgjegjëse për rritjen e qelizave të caktuara të imunitetit, të ashtuquajturat qeliza ndihmëse T, ose më saktë: qelizat Th17. Shkencëtarët kanë vërejtur, se këto qeliza imunitare rregullojnë absorbimin e yndyrës në zorrën e minjve. 

Studiuesit gjithashtu kanë konstatuar, se një ushqim me përmbajtje sheqeri stimulon rritjen e baktereve të caktuara, të cilat pastaj eliminojnë atë pjesë të mikrobiomës që forocon imunitetin. Si rrjedhojë, përmes mukozës së zorrës, depërton më shumë yndyrë në trupin e minjve. Kafshët jo vetëm trashen deri në mbipeshë, por edhe sëmuren. "Se çfarë efekti ka sheqeri në zorrën e njeriut nuk dihet ende mirë", thotë Christian Sina, drejtor i Institutit të Mjekësisë së të Ushqyerit, në Universitetin e Lybekut. Studime me minj ka shumë, ndërkohë që të dhënat për zorrën e trashë te njeriu, janë të pakta. Megjithatë është e qartë, se sheqeri me tepricë definitivisht nuk është i shëndetshëm.

Sheqer po, por me sasi të kontrolluar

Megjithatë kush kalon ndonjë çast dobësie dhe zbraz raftin e ëmbëlsirave, apo e kalon ditën ulur në kolltuk duke ngrënë çokolata e duke pirë limonatë, nuk sëmuret menjëherë. Ndaj Christian Sina nuk do t'i vë kryqin përfundimisht sheqerit, nga menyja. "Fare pak sheqer për të ëmbëltuar kafenë, nuk është problem", thotë mjeku nutricionist.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), këshillon që konsumi i sheqerit në ditë, të pakësohet në 25 gram. Kjo sasi i përgjigjet gjashtë lugëve kafeje sheqer. Nga një sondazh i Center of Disease Control and Prevention (CDC), në vitet 2017 dhe 2018, rezultoi se amerikanët në SHBA mesatarisht konsumojnë 17 lugë kafeje me sheqer, në ditë.

Ushqimet e prodhuara industrialisht përmbajnë shumë sheqer

Problematike nuk janë vetëm tortat, biskotat e çokolatat, të njohura për përqendrimin e lartë të sheqerit. Por edhe produktet e gatshme ushqimore të ashtuquajturat „sheqer i fshehur": Kush ha shumë ushqime të gatshme, e tejkalon lehtë normën e përmbajtjes së sheqerit në gjak.

Prej kësaj shumë shpejt krijohet rrethi vicioz: ushqimi me përmbajtje sheqeri jo vetëm e rrit shpejt vlerën e sheqerit në gjak, por bën edhe që kjo vlerë të bjerë shpejt sërish. Mungesa e sheqerit që pason, e nxit përsëri edhe më shumë urinë për ëmbëlsira.

(Kosova Sot Online)