Ilaçet shtëpiake për zvogëlimin e ënjtjes së gjingjivave

  • E.K /
  • 06 May 2023 - 13:57
Ilaçet shtëpiake për zvogëlimin e ënjtjes së gjingjivave

Ënjtja e mishit të dhëmbëve është problem i shpeshtë, i cili shkakton dhembje dhe gjakderdhje. Ja si ta trajtoni këtë problem me "ilaçe" që i gjeni në shtëpi.

KOMPRESAT E NXEHTA DHE TË FTOHTA

Kompresat e nxehta dhe të ftohta mund ta largojnë shpejt ënjtjen e gjingjivave, sikur që e largojnë edhe dhembjen dhe skuqjen. Kompresat duhet mbajtur mbi faqe, e jo direkt në gjingjiva. 1. Njomeni një leckë të pastër në ujë të nxehtë dhe shtrydheni sasinë e tepërt të ujit. 2. Mbajeni këtë leckë në faqe për 5 minuta. 3. Më pas, mbështilleni një qese bizelesh të ngrira në një peshqir të hollë dhe mbajeni në faqe derisa ajo t'ju mpihet nga të ftohtit. 4. Përsëriteni këtë cikël 2 - 3 herë.

UJI I NJELMËT

Kripa është një ilaç tjetër natyror për mishin e ënjtur të gjingjivave. Ai e parandalon rritjen e baktereve në gojë dhe parandalon infektimet të cilat mund të paraqiten te gjingjiviti. - Pasi që t'i lani dhëmbët me brushë, fërkojeni lehtazi mishin e dhëmbëve me ujë me kripë për disa sekonda. Shpëlajeni më pas gojën me ujë të vakët. Bëjeni këtë një herë në ditë. Pas shërimit, bëjeni këtë tri herë në javë, si preventivë. PEROKSIDI I HIDROGJENIT Peroksidi i hidrogjenit po ashtu mund të ndihmojë në zvogëlimin e ënjtjes dhe dhembjes së mishit të pezmatuar të dhëmbëve. Ai mundet edhe t'i shkatërrojë mikrobet. Për shëndetin e gojës, përdoreni vetëm peroksidin e hidrogjenit me fortësi 3%. - Përzieni sasitë e njëjta të peroksidit të hidrogjenit dhe ujit. Shpëlajeni gojën me këtë tretësirë për 30 sekonda. Më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Kini kujdes që të mos e përpini peroksidin e hidrogjenit.

QESET E ÇAJIT TË ZI

Qeset (filtrat) e çajit të zi përmbajnë tanine, të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e pezmatimit të gjingjivave. Për më tepër, vetitë antioksiduese të çajit të zi ndihmojnë një shëndet të mirë të gojës. 1. Vendoseni një qese të çajit të zi në ujë të valë, duke e lënë aty 2 deri 3 minuta. 2. Hiqeni qesen dhe lëreni që të ftohet deri në një temperaturë të durueshme. 3. Vendoseni dhe mbajeni qesen e çajit në pjesën e pezmatuar të mishit të dhëmbëve, për 10 deri 15 minuta. 4. Shpëlajeni gojën me ujë të njelmët, të vakët. 5. Përsëriteni këtë një herë në ditë, disa ditë.

ALOE VERA

Një ilaç tjetër natyror që është efikas për trajtimin e gjingjivave të pezmatuara është edhe aloe vera. Kjo bimë ka veti antiinflamatore, por edhe antibakteriale, gjë që është shumë e rëndësishme në këtë rast. 1. Hapeni një gjethe të aloe verës, për ta nxjerrë substancën xhelatinoze. 2. Me anë të një gishti të pastër fërkojeni këtë xhelatinë në mishin e dhëmbëve. 3. Bëni masazh të lehtë për 1 - 2 minuta. 4. Shpëlajeni me ujë të vakët. 5. Përsëriteni këtë disa herë në ditë, derisa të arrini përmirësim.

VITAMINA D

Nëse shpesh ju ndodh që t'ju ënjtet mishi i dhëmbëve, atëherë duhet ta rrisni sasinë e vitaminës D që e merrni. Vitamina D ka veti antiinflamatore, të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e ënjtjes së gjingjivave dhe parandalojnë paraqitjen e saj. - Ndihmoni organizmit tuaj që të prodhojë vitaminë D duke u rrezitur në diell për rreth 10 minuta në ditë. - Konsumoni ushqime të pasura me vitaminë D, sikur që janë: salmoni, vezët, farat e lulediellit dhe vaji i përfituar nga mëlçia e merlucit. - Mund të përdorni edhe preparate të kësaj vitamine, pasi që të konsultoheni me mjekun. 

(Kosova Sot Online)