Shtatzënat që sëmuren nga gripi mund të lindin fëmijë me astmë

  • E.K /
  • 21 June 2023 - 10:59
Shtatzënat që sëmuren nga gripi mund të lindin fëmijë me astmë

Femrat të cilat ftohen gjatë shtatzënisë kanë më shumë gjasa që të lindit fëmijë astmatikë, zbulon një studim i ri. Hulumtuesit thonë që femrat që janë shtatzënë do të ishte mirë që të marrin masa shtesë dhe të ruhen nga njerëzit që janë të ftohur ose sëmurë nga gripi. Sa më shumë ftohje dhe infektime me viruse që ka një femër gjatë shtatzënisë, aq më i lartë është rreziku që fëmijët e tyre ta kenë astmën, thuhet në studimin e publikuar në zhurnalin 'Annals of Allergy, Asthma and Immunology'. Hulumtuesit kanë zbuluar që infektimet e nënës dhe ekspozimi ndaj baktereve gjatë shtatzënisë kanë ndikim në mjedisin e foshnjës në mitër, gjë që e rrit rrezikun që fëmija të zhvillojë alergji dhe astmë në fëmijëri. Hulumtuesit kanë studiuar 513 shtatzëna në Gjermani, dhe 526 fëmijët e tyre.

Pyetësorët janë plotësuar gjatë shtatzënisë, kur fëmijët ishin 3 dhe 12 muaj të vjetër, dhe për çdo vit më pas deri në moshën 5-vjeçare. Në mesin e familjeve, 61 për qind kanë pasur një prind me astmë, alergji pranverore ose dermatit atopik. "E dimë që alergjia dhe astma mund të zhvillohen në mitër pasi që gjenetika është një faktor në të dy sëmundjet. Por ky studim tani hedh dritë mbi faktin se si mjedisi i nënës gjatë shtatzënisë mund të fillojë me ndikim në fëmijën para lindjes", ka thënë Dr. Michael Foggs.

(Kosova Sot Online)