Ja përbërësi në oriz dhe kafe që mund të parandalojë sulmet në zemër

  • A.P /
  • 20 June 2025 - 08:08
Ja përbërësi në oriz dhe kafe që mund të parandalojë sulmet në zemër

Një ekip kërkimor japonez ka zbuluar se acidi ferulik, një përbërës natyror që gjendet në oriz, kafe dhe disa perime, mund të ndihmojë në parandalimin e sulmeve në zemër, 

Studimi, i udhëhequr nga Dr. Kento Yoshioka, Dr. Keisuke Obara dhe Prof. Yoshio Tanaka nga Departamenti i Farmakologjisë Kimike në Shkollën e Farmacisë të Universitetit Toho, përdori arteriet koronare të derrit, të cilat janë shumë të ngjashme me ato të zemrës njerëzore. Rezultatet treguan se acidi ferulik ul ndjeshëm tkurrjen e arterieve.

 

Ekipi identifikoi dy mekanizma kryesorë përmes të cilëve vepron ky përbërës: së pari, ai pengon hyrjen e kalciumit në qelizat muskulore përmes kanaleve të kalciumit të tipit L, të cilat luajnë një rol kyç në tkurrjen e arterieve. Së dyti, në mungesë të kalciumit, ai parandalon ngushtimin e arterieve duke frenuar aktivizimin e një proteine të quajtur ‘zinxhir i lehtë i miozinës’, e rëndësishme për tkurrjen e muskujve.

Sipas rezultateve të studimit, në disa raste acidi ferulik u tregua më efektiv sesa diltiazemi, një ilaç i përdorur gjerësisht për relaksimin e enëve të gjakut.

Ky zbulim, sipas Dr. Yoshioka, mund të hapë rrugën për metoda natyrale të mbështetjes së shëndetit kardiovaskular, qoftë përmes ushqimit apo në formën e suplementeve.

(Kosova Sot Online)