Simeone: Messi iu tregoi të gjithëve se është më i miri në botë

  • 13 October 2017 - 22:26
Simeone: Messi iu tregoi të gjithëve se është më i miri në botë

Simeone ka lavdëruar Leo Messin që me tre gola kundër Ekuadorit e dërgoi Argjentinën në Botërorin “Rusia 2018”.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Messi, është kritikuar shumë për paraqitjet me Argjentinën, para se të shkëlqejë me Ekuadorin, ku realizoi het-trik.

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka thënë para derbit në La Liga se Messi ua dëshmoi të kundërtën atyre që e kritikuan duke e dërguar Argjentinën direkt në Botëror.

Sipas Simeones, me këto tre gola Messi tregoi se është lojtari më i mirë në botë.

“Natyrisht se e kam parë ndeshjen e Argjentinës”, u përgjigj Simeone. “Me të vërtetë isha i qetë sepse e dija që gjithçka do të ishte në favorin tonë, edhe përkundër se nuk e nisën mirë sfidën”.

“Ata asnjëherë nuk e humbën fokusin dhe Messi e bëri atë që çdo argjentinas dëshironte dhe kërkonte nga Leo”, shtoi Simeone.

“Ai u tregoi të gjithë atyre që nuk besuan se është më i miri në botë. Kjo është e qartë”, theksoi mes tjerash trajneri Atletico Madridit para ndeshjes me Barcelonën. 

(Kosova Sot)