Kosova, në sulm KUNDËR LETONISË

  • 09 November 2017 - 09:09
Kosova, në sulm KUNDËR LETONISË

P as një kohe bukur të gjatë Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet të luajë në shtëpi të vet. Të përzgjedhurit tanë do të luajnë në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë kundër Letonisë një ndeshje kjo edhe pse miqësore, po pritet me kureshtje. Kampi i Kosovës, i cili dje e ka zbuluar listën e të ftuarve për këtë ndeshje, është parë në atmosferë të mirë dhe me shumë vullnet po e pret këtë ndeshje në mënyrë që t'i shpërblejë me një fitore tifozët kosovarë, të cilët vuajtën shumë gjatë eliminatoreve të Botërorit "Rusia 2018", ku në 10 ndeshje të luajtura nuk e shijuan asnjë fitore. Trajneri Muharrem Sahiti, të cilit i është besuar ta udhëheqë Kosovën për këtë ndeshje, ka mbajtur dje një konferencë për medie ku ka publikuar listën e futbollistëve me të cilët do t'i kundërvihet Letonisë, në miqësoren e 13 nëntorit në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë nga ora 19:30. Trajneri Muharrem Sahiti dhe mesfushori Valon Berisha kanë thënë se me kureshtje po e presin këtë takim, sidomos për faktin që luajnë në shtëpi dhe do ta kenë përkrahjen e tifozëve.

Sahiti: Motivi te lojtarët po rritet

Trajneri në detyrë i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti në konferencën për shtyp, gjatë zbulimit të listës së lojtarëve, ka thënë se miqë- sorja ndaj Letonisë është shumë e rëndësishme dhe do të kërkojnë ta fitojnë. "Kjo ndeshje është e mirëseardhur për ne, pasi do të luajmë në vendin tonë pas një kohe të gjatë. Letonia është një kundërshtar përafërsisht me cilësi të barabarta me ne, andaj sigurisht se do të bëjmë lojë më ofensive. Motivi tek lojtarët do të rritet edhe nga shikuesit, të cilët duhet t'i shpërblejmë për mundin që e kanë bërë për Kosovën, duke ardhur në Shkodër për të na përkrahur", ka theksuar Sahiti. "Duhet të bëjmë një lojë sulmuese nëse dëshirojmë fitoren. Me lojtarët që kemi në dispozicion, e kemi përparësinë dhe do ta fitojmë lojën", ka thënë Sahiti, i cili udhëheq Kosovën në këtë ndeshje, pas largimit të përzgjedhësit Albert Bunjaki

Berisha: Duam vetëm fitore

Në anën tjetër, njëri nga futbollistët më të mirë të Kosovës, Valon Berisha ka thënë se këtë ndeshje do të tentojnë me çdo kusht ta fitojnë, por që ka kërkuar të mos ketë presion. "Sa kanë dëshirë shikuesit për fitore, aq kemi edhe ne. Asnjë futbollist nuk hyn në fushë për ta humbur lojën. Ne do të japim gjithçka që ta fitojmë atë ndeshje", ka thënë Berisha, për të cilin kjo është ndeshja e parë që e luan në Kosovë." Nuk ka më mirë se sa të luash në vendin tënd. Mezi po pres të vijë dita e hënë. Lojë e vështirë, dhe çdo përfaqësuese është e fortë. Besoj se me përgatitje dhe përkrahje do ta luajmë një lojë të mirë. Për fitore shkojmë gjithmonë, e kemi ditur edhe në kualifikime që është vështirë, këtë e kam ditur sepse ne qe një vit jemi bashkë", tha Berisha i cili po beson se ekipi po rritet vazhdimisht. "Lojë pas loje po luajmë më mirë, kombinimet po janë më të mira, mbrojtja më e mirë dhe në të ardhmen mund të vijmë me rezultate të mira", ka thënë Valon Berisha. Kosova deri të hënë, ditën e zhvillimit të ndeshjes, do të stërvitet në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas.

(Kosova Sot)