Ylli i Napolit tallet me Liverpoolin

  • 11 December 2018 - 17:21
Ylli i Napolit tallet me Liverpoolin

Shenja “Ky është Anfieldi” në tunelin brenda stadiumit të Liverpoolit është prekur nga shumë futbollistë dhe trajnerë legjendarë dhe tanimë është bërë një simbol i njohur në botën e futbollit, mirëpo jo edhe për yllin e Napolit, Dries Mertens.

Mertens ka bërë të ditur në një intervistë se ai kishte dëgjuar shumë njerëz duke folur për këtë shenjë para se të luante në Anfield, mirëpo kur kishte shkuar atje, nuk i kishte bërë përshtypje.

Belgu do të luajë sonte për herë të dytë në karrierën e tij në Anfield, pasi që për herë të parë kishte luajtur në një ndeshje të Evropa Ligës para tetë viteve, kur ai ishte ende duke luajtur për klubin holandez, Utrecht.

“Kujtimi im më i paharrueshëm është ai lidhur me shenjën ku shkruhet ‘Ky është Anfieldi’ dhe të gjithë flisnin për këtë shenjë. Kështu që unë mendova se do të ishte shumë e madhe”, ka thënë Mertens në një intervistë për The Times.

“Unë e kalova tunelin dhe e pyeta dikë se ku është shenja dhe ata më thanë se e kishim kaluar, por unë nuk e kisha vërejtur fare. Kështu që, në pjesën e dytë, unë po e shikoja këtë gjë të vogël dhe i pyeta: ‘A është kjo aq e veçantë?’”, shtoi ai.

Për t’u kualifikuar në fazën e radhës, Liverpooli do të duhet ta mposhtë Napolin në Anfield me një epërsi prej dy golash. Kjo gjë do të jetë mjaft e vështirë për t’u arritur pasi që Napoli është në krye të grupit D, me tri pikë më shumë se Liverpooli

(Kosova Sot)