“Pogba do të ishte më i miri në botë nën drejtimin e Kloppit ose Guardiolës”

  • 13 December 2018 - 16:30
“Pogba do të ishte më i miri në botë nën drejtimin e Kloppit ose Guardiolës”

Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, Michael Owen, ka thënë se mesfushori i “Djajve të kuq” do të ishte një ndër më të mirët në botë nëse do të luante për Pep Guardiolën ose Jurgen Kloppin, pasi që beson se Jose Mourinho nuk po ia krijon mundësitë për ta dëshmuar veten.

Kampioni i Kupës së Botës me Kombëtaren e Francës u kthye përsëri në formacionin të parë të Manchester Unitedit në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve kundër Valencias, pasi që gjatë ndeshjeve të fundit ishte lënë në stol.

Për të ardhmen e Pogbës janë vënë shumë dyshime pikërisht për shkak të marrëdhënies së tij me trajnerin Jose Mourinho. Ata të dy ishin zënë vazhdimisht në fillim të këtij sezoni, një prej incidenteve ishte zënë nga kamerat e Sky Sports, dhe në fund Pogbës i ishte larguar shiriti i kapitenit.

Përkrahësit e Mourinhos pretendojnë se Pogba nuk është mjaftueshëm i mirë për ta kundërshtuar trajnerin, mirëpo Owen beson se 25-vjeçari nuk është duke e marrë përkrahjen për të cilën ka nevojë.

“Mendoj se trajneri duhet ta marrë një pjesë të fajit, për shkak të sistemit në të cilët ai luan. E mbaj mend se kur ai u transferua në fillim, ata po tentonin ta gjenin çfarëdo lloj mesfushori që mund të luajë me të, për ta nxjerrë më të mirën nga ai. Më vjen keq për të në këtë aspekt”, ka thënë Owen.

“Por, si lojtar, është irrituese kur e shikon atë, sepse ai duket ende si një 16 apo 17-vjeçar që është ende duke e mësuar lojën e futbollit. Mendoj se ai bën shumë gabime në ndeshje dhe është bezdisëse”.

“Nëse ai do të ishte duke luajtur për Guardiolën apo Kloppit, ose dikë si këta të dy, në do ta shikonim atë si një ndër lojtarët më të mirë në botë, por për momentin nuk mund ta themi këtë gjë”. 

 

(Kosova Sot)