Ylli i Man Unitedit: Nuk do të luaja kurrë për Liverpoolin

  • 16 December 2018 - 13:24
Ylli i Man Unitedit: Nuk do të luaja kurrë për Liverpoolin

Sulmuesi anglez i Manchester Unitedit, Marcus Rashford, ka bërë të ditur se ai nuk do ta shqyrtonte kurrë mundësinë për të luajtur në Liverpool, pasi që për të është e natyrshme të jetë pjesë e “Djajve të kuq”.

Rashford, i lindur në Mançester, i ishte bashkuar akademinë së Manchester Unitedit kur ishte vetëm 7-vjeçar. Ai e bëri debutimin si profesionist në vitin 2016 në moshën 18-vjeçare.

Ai debutoi në Evropa Ligë, në ndeshjen kundër Midtjylland, në të cilën i shënoi dy gola. Ndërsa, vetëm tre ditë më vonë, debutoi edhe në Premierligë, në ndeshjen kundër Arsenalit, kur i shënoi po ashtu dy gola dhe e asistoi një tjetër.

Manchester Unitedi do të shkojë në Anfield sot për ndeshjen kundër Liverpoolit. “Djajtë e kuq” synojnë që në këtë ndeshje t’i japin fund ecurisë së Liverpoolit si të pamposhtur, mirëpo kjo do të jetë mjaft e vështirë për t’u arritur, pasi që skuadra e Jurgen Kloppit është në formë më të mirë.

“Jo, Liverpoolin nuk e kisha kurrë opsion. Liverpoolin, Manchester Cityn apo Evertonit, nuk kishte asnjë klub në të cilën doja të luaja në vend të Manchester Unitedit. Kështu ndihesha”, ka thënë Rashfordi.

“Për shumë prej nesh, Unitedi ishte ekipi i duhur. Të gjithë u rritëm si tifozë të Unitedit, kështu që të vazhdoja me Manchester Unitedin ishte zgjedhja e natyrshme për mua”. 

(Kosova Sot)