Xherdan Shaqiri blerja e tretë më e mirë në botë, e lë Ronaldon shumë prapa

  • 21 January 2019 - 18:51
Xherdan Shaqiri blerja e tretë më e mirë në botë, e lë Ronaldon shumë prapa

Anësori kosovar i Zvicrës dhe Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, është vlerësuar në mesin e 20 blerjeve më të mira nga pikëpamja ekonomike në vitin 2018.

Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Sportit (CIES) vlerëson se Xherdan Shaqiri është blera e tretë më e mirë në botë nga pikëpamja ekonomike. Shaqa kaloi në Liverpool nga Stoke City më 13 korrik 2018.

Pasi nuk mundi ta shpëtojë Stoke Cityn nga rënia në Championship, nivelin e dytë të futbollit anglez, kosovari vendosi të qëndrojë në Premierligë duke iu bashkuar Liverpoolit. Të kuqtë paguan 14.7 milionë euro për shërbimet e përfaqësuesit të Zvicrës.

Për një lojtar me aftësitë e Shaqës, kjo shumë ishte tejet e ulet dhe u vlerësua si ndër ujditë më të mira në tregun e transferimeve.

Shaqiri vlerësohej 55.0 milionë euro, por duke i paguar vetëm 14.7 milionë euro për të, Liverpooli i kurseu plot 40.3 milionë euro të tjera, sipas CIES.

Ai e ka arsyetuar besimin e Jurgen Kloppit, sepse në 23 paraqitje deri tani në të gjitha garat për Liverpoolin, Shaqiri i ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë tri asiste.

Ndërkohë, vetëm Rodrigo Hernandez që iu bashkua Atletico Madridit dhe Lucas Torreira që iu bashkua Arsenalit vlerësohen si blerje më të mira ekonomike se Shaqiri.

Cristiano Ronaldo, që iu bashkua Juventusit nga Real Madridit po këtë verë, vlerësohet me vendin e 12-të.

Kjo është lista e plotë e CIES. 

Image

 

(Kosova Sot)