Icardi mbetet jashtë skuadrës së Interit

  • 16 February 2019 - 22:12
Icardi mbetet jashtë skuadrës së Interit

Mauro Icardi ka mbetur jashtë skuadrës së Interit për ndeshjen e nesërme të Serisë A, kundër Sampdorias. Përkundër që besohet se arsyeja të jetë për shkak të këtyre incidenteve, zyrtarisht thuhet se është për shkak të një lëndimi të gjurit.

Problemet rreth Icardit kanë shpërthyer gjatë ditëve të fundit, pasi që klubi zikaltër ia hoqi atij shiritin e kapitenit për shkak të komenteve të Wandas në televizion për negociatat e rinovimit të kontratës.

Sulmuesit të Interit i ishte marrë shiriti i kapitenit të mërkurën, para ndeshjes së Evropa Ligës kundër Rapid Viennas. Rolin e kapitenit në skuadrën e zikaltërve tani do ta ketë Samir Handanovic.

Vendimi për t’ia hequr shiritin e kapitenit, edhe trajneri Luciano Spalleti, edhe drejtori sportiv Piero Ausilio, e kanë përshkruar si të dhimbshëm.

Pas këtij vendimi të Interit, Icardi e hoqi veten nga lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e Evropa Ligës, duke sugjeruar në rrjetet sociale se ishte i lënduar, mirëpo Spalleti më vonë tha se ky kishte qenë vendimi i sulmuesit.

Për të ardhmen e Icardit është spekuluar tash e një kohë të gjithë pasi që bashkëshortja dhe agjentja e tij, Wanda Nara, nuk ka arritur marrëveshje me Interin për ta rinovuar kontratën. Nara i ka zemëruar tifozët e Interit duke sugjeruar se klubi duhet ta mbrojë më shumë Icardin nga lajmet e këqija.

Megjithatë, Ausilio ka insistuar se klubi zikaltër nuk e ka në plan të shesë sulmuesin argjentinas. 

 

 

(Kosova Sot)