Feronikeli e mund Lirinë dhe merr kreun e Superligës

  • 18 February 2019 - 15:26
Feronikeli e mund Lirinë dhe merr kreun e Superligës

Feronikeli e ka marrë kreun e Ipko Superligës së Kosovës, pas triumfit bindes kundër Lirisë të hënën në Prizren.

Humbja tronditëse e liderit të deritanishëm, Prishtinës, kundër Flamurtarit në kryeqytet, nënkupton se klubi nga Drenasi tani është lider i Ipko Superligës me dy pikë më shumë se bardhekaltrit.

Pjesa e parë në stadiumin “Përparim Thaqi” në Prizren qe e mjaftueshme për vizitorët nga Drenasi për t’i marrë tri pikë kundër Lirisë.

Kastriot Rexha realizoi dy herë për triumfin e Feronikelit. Shtatë minuta brenda takimit, Rexha realizoi falë një asisti nga Përparim Islami.

Dy minuta para fundit të pjesës së parë, Rexha e dyfishoi epërsinë dhe i siguroi kreun Feronikelit.

Feronikeli është lider i ri i Superligës me 42 pikë, dy më shumë se Prishtina. 

Liria, ndërkohë, renditet e 10-ta me 19 pikë, tri më pak se Trepça '89 në vendin e nëntë.

(Kosova Sot)