Majlinda Kelmendi kualifikohet në çerekfinale të Grand Slamit të Gjermanisë

  • 22 February 2019 - 13:09
Majlinda Kelmendi kualifikohet në çerekfinale të Grand Slamit të Gjermanisë

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e ka siguruar një vend në çerekfinalet e Grand Slamit të Dusseldorfit, në Gjermani.

Majlindja e mposhti, në rundin e tretë, xhudisten braziliane, Eleudis Valentim, me ippon, në kategorinë e peshave -52 kilogramëshe. Me këtë fitore, kosovarja i afrohet medaljes së dytë të artë për këtë vi.

Në rundin e dytë, kosovarja e mposhti xhudisten gjermane, Verna Thumm, po ashtu me ippon, ndërsa e kaloi rrethin e parë pa luftë.

Në çerekfinale, Majlinda do të përballet me xhudisten koreane, Bokyeong Jeong.

Kjo është gara e dytë e xhudos në të cilën Kelmendi po merr pjesë këtë vit, pasi që pushoi në Grand Slamin e Parisit. Në garën e parë, në Grand Prixin e Tel Avivit, ajo e kishte fituar medaljen e artë.

Majlinda është garuesja e vetme që po e përfaqëson Kosovën, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, pushuan.

Këtë formë të mirë, xhudistja pejane do të tentojë ta shfaqë edhe në ndeshjet e radhës, në Grand Slamin e Gjermanisë, ku marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.

(Kosova Sot)