Panucci largohet me një akuzë të rëndë: Jeni të mësuar me cirk!

  • 23 March 2019 - 11:57
Panucci largohet me një akuzë të rëndë: Jeni të mësuar me cirk!

Christian Panuçi është pushuar nga puna pas dështimit të radhës, kundër Turqisë, duke u larguar me një bilanc mjaft negativ dhe duke u bërë trajneri i parë në historinë e kombëtares sonë që ofendohet në kor nga tifozët, në dy ndeshjet rresht për më shumë.

Pas shkarkimit Panuçi nuk pranon të flasë, do të duhen disa ditë qetësi dhe ndoshta ish-trajneri ynë do të zbrazë dufin në mediat italiane, por ndërkohë menjëherë pas ndeshjes në konferencë për shtyp italiani lëshoi disa deklarata të rënda.

“Tifozët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer dhe ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj skuadrës apo trajnerit, kur loja dhe rezultatet janë të dobëta. Dorëheqjen nuk e jap. Në 30 vite në futboll nuk kisha parë të kritikohej një trajner për faktin se dëshiron të respektojë rregullat, të vendosë disiplinë.

Në Shqipëri jemi të mësuar me cirk“, tha ndër të tjera Panucci, duke u larguar me një akuzë të rëndë, që nuk na vjen mirë, por që qëndron plotësisht, sepse profesionalizmi dhe serioziteti janë “sëmundje” që ne i luftojmë me vendosmëri të paparë.

(Kosova Sot)