Flet lojtari zviceran që u shpëtua nga kundërshtari i tij: S’mbaj në mend asgjë, por ia ka vlejtur

  • 25 March 2019 - 11:31
Flet lojtari zviceran që u shpëtua nga kundërshtari i tij: S’mbaj në mend asgjë, por ia ka vlejtur

Fabian Schar ka thënë se nuk mban në mend asgjë nga përplasja brutale që ka mundur ta lërë të vdekur gjatë fitores së Kombëtares së tij, Zvicrës, kundër Gjeorgjisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionat Evropian të dielën.

Schar, i cili luan në Premierligë me Newcastle, u fut në zonën e Gjeorgjisë gjatë një rivënie nga këndi në minutën e 23-të, dhe e gjeti veten në një situatë kërcënuese për jetën.

Pas përplasjes kokë me kokë me kundërshtarin e tij, Schar ra në tokë pandjenja dhe i kishte ikur gjuha. Por, reagimi i shpejtë i futbollistit gjeorgjian Jano Ananidze ishte fantastik, i cili ia ktheu gjuhën në vend duke ia shpëtuar jetën.

Pas katër minutave tretman, befasisht Schar ishte në gjendje ta vazhdojë ndeshjen.

Pas ndeshjes, ai tha se nuk e mban në mend incidentin, por mendon që ia ka vlejtur për fitoren e ekipit të tij.

“Duket e tmerrshme. Nuk mund të mbaj në mend asgjë. Më ikën ndjenjat për disa sekonda. Kafka më gumëzhin ende. Kam dhimbje qafe dhe një mavijosje në ballë. Por, ia ka vlejtur”, tha Schar pas ndeshjes. 

(Kosova Sot)