Edhe Loriana Kuka e artë në Gjeorgji

  • 31 March 2019 - 15:59
Edhe Loriana Kuka e artë në Gjeorgji

Loriana Kuka e ka fituar medaljen e artë në turneun e xhudos, Grand Prix, në Gjeorgji, pasi e mposhti xhudisten kubanen Kaliema Antomarchi në finale të dielën, duke ia siguruar Kosovës medaljen e dytë nga ky turne.

Kuka e mundi me ippon Antomarchin në finalen e kategorisë -78 kilogramë të dielën në Tbilisi.

Kjo është medalja e dytë për Kosovën nga Tbilisi Grand Prix, pasi Nora Gjakova e fitoi të artën në kategorinë -57 kilogramë të premten.  

21-vjeçarja rundin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa e mundi xhudisten iraniane Rani Rani në luftën e saj të parë në rundin e dytë.

Në çerekfinale, Kuka e mposhti Ilona Lucassen nga Holanda, duke e siguruar gjysmëfinalen ndaj francezes Estelle Postive të dielën në mëngjes.

Xhudistja kosovare e mundi francezen Postive në gjysmëfinale të turneut dhe më pas edhe Antomarchin e Kubës, duke u stolisur me medalje të artë. 

(Kosova Sot)