“Më çatë b… me Ikardin”, shpërthen Luçiano Spaleti: Ja pse nuk e grumbullova në skuadër

  • 01 April 2019 - 14:12
“Më çatë b… me Ikardin”, shpërthen Luçiano Spaleti: Ja pse nuk e grumbullova në skuadër

Vullkani që shfrynte prej kohësh shpërtheu mbrëmjen e djeshme menjëherë pas humbjes së Interit kundër Lacios dhe ai që e ndezi fitilin ishte pikërisht Luçiano Spaleti.

Trajneri zikaltër ka dalë më i revoltuar se kurrë përpara medias dhe ka nxjerrë në sipërfaqe gjithçka fshihej në prapaskenën e telenovelës “Ikardi”, një çështje që ndoshta edhe mund të djegë mbi të gjitha vetë Spaletin, duke parë fjalët e ashpra, por ndoshta të drejta në lidhje me gjithçka ka jetuar ai dhe skuadra në më shumë se 40 ditët e fundit: “Nuk kam çfarë të fshihem, ishte një humbje shumë e rëndë, sepse përballë kishim një rival direkt për Champions-in.

E udhëhoqëm dhe e dominuam ndeshjen në shumicën e 90 minutave. Patëm fat në fillim, por më pas pësuam golin në rastin e parë të vërtetë të Lacios. Më pas morëm lojën në dorë, por Lacio duke parë edhe nervozizmin tonë bëri ndeshjen që deshi, duke përfituar edhe nga pasaktësia jonë përpara portës”.

SHPËRTHIMI I SPALETIT…

Por kur pyetet për mosgrumbullimin e Ikardit, aq mjafton që trajneri Spaleti të shfryjë vrerin e tij: “A mund të na bënte punë Ikardi qoftë edhe 10 minuta? Kjo temë ju dëfren shumë juve, ndërsa mua nuk më heq asgjë. Në fushë duhet të zbresin ata që dinë të sillen si profesionistë, ndërsa gjithçka tjetër e keni orkestruar ju të medias…

Ngjarja është e qartë, por ka të tjerë që meritojnë më shumë respekt. Ikardi mund të luante jo vetëm 10 minuta, por edhe një pjesë loje, por fakti është që ai nuk gëzon besimin e shokëve të tij, nuk u pranua në dhomat e zhveshjes. Nëse nuk arrin të fitosh besueshmërinë e një grupi, si mund të kërkosh të luash?

Unë për këtë besueshmëri të grupit luftoj dhe punoj prej 22 vitesh, por ju të medias e keni të lehtë që të flisni… Por meqë doni tani po ua them unë historinë time… Gaboj unë apo Interi kishte 6 vite që nuk shkonte në Champions dhe Ikardi ishte pjesë e skuadrës apo jo?! Sa ndeshje kemi humbur me Ikardin në fushë?! Pastaj përdorimi i medias për të kërkuar rikthimin në skuadër ishte diçka e turpshme, e turpshme… Sipas jush, çfarë duhet të bëj unë për të zgjedhur lojtarët që duhet të grumbulloj për ndeshjen e radhës?!

Të dërgoj 20 “e-mail”- e për t’i lajmëruar nëse janë të grumbulluar ose jo, – vazhdon Spaleti duke iu referuar deklaratës së avokatit të Ikardit se ai nuk ishte vënë në dijeni që Mauro do ishte i grumbulluar apo jo. – Unë kam nevojë që të hedh në fushë lojtarë që të jenë të gatshëm, jo disa që kthehen në grup dhe vazhdojnë të sillen siç ka bërë…

Shkurt, Mauro nuk e bën diferencën… Mesi dhe Ronaldo bëjnë diferencën dhe Mauro nuk është asnjëri prej këtyre të dyve. Forca e vërtetë e skuadrës është grupi, disiplina dhe profesionalizmi. Po më flisni sikur nuk kemi humbur asnjë ndeshje me Ikardin në fushë dhe me këtë çështje më është çarë b…”, përfundoi trajneri i Interit i irrituar.

(Kosova Sot)