Herrera arrin marrëveshje me PSG-në, do të përfitojë 8 milionë euro në sezon

  • 01 April 2019 - 17:27
Herrera arrin marrëveshje me PSG-në, do të përfitojë 8 milionë euro në sezon

Ander Herrera do të largohet nga Manchester United si lojtar i lirë, për të firmosur kontratë 3-vjeçare me PSG-në, që i kanë ofruar pagë me vlerë 8 milionë euro në sezon, ndërsa “Djajtë e Kuq” i ofruan deri në 5.5 milionë euro.

Sipas asaj që raporton “The Sun”, mesfushori spanjoll, Ander Herrera, ka vendosur që të largohet nga Manchester United.

29-vjeçari shikohet si zgjidhja ideale për partneritetin me Marco Verratin dhe trajneri Thomas Tuchel e pëlqen shumë mesfushorin spanjoll, i cili raportohet se tashmë ka firmosur kontratën me PSG-në, teksa kanë mbetur edhe dy muaj nga fundi i sezonit.

Ole Gunnar Solskjær tha ditë më parë se do të ketë afrime në merkaton e verës, por duket se do të ketë edhe largime, ndërsa po luftojnë që të ruajnë Paul Pogban nga interesimi i fortë që ka shfaqur Real Madridi me kthimin e Zinedine Zidane.

Edhe Juan Mata mund të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit, Barcelona është duke e monitoruar mesfushorin, përvoja e të cilit do t’i ndihmonte shumë katalunasve.

Sido që të jetë, Solskjær e di se do të ketë tashmë largime, dhe ka premtuar se do të investojnë për të krijuar një skuadër të fortë dhe për të rikthyer Unitedin aty ku e ka vendin.

(Kosova Sot)