Disiplina “masakron” Tiranën, i heq dy “armë më të forta”

  • 01 April 2019 - 21:54
Disiplina “masakron” Tiranën, i heq dy “armë më të forta”

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur sot për të analizuar veprimet josportive të konstatuara gjatë fundjavës në futbollin shqiptar.

Në veçanti vëmendje ka pasur ndeshja mes Tiranës dhe laçit, ku krahas kontestimeve në fushë, pati edhe një përleshje në dhomat e zhveshjes, ku kurbinasit qëlluan ndaj të paktën dy futbollistëve bardheblu.

Kështu Komisioni i Disiplinës ka vendosur të dënojë me 4 ndeshje pa spektatorë në shtëpi, klubin e Tiranës, vendim ky që mund të përkthehet në mbyllje për të gjithë sezonin, të stadiumit “Selman Stërmasi” për bardheblutë.

Po me 5 ndeshje është pezulluar edhe sulmuesi anglez i bardhebluve, Michael Ngo’o, ndërsa ndihmës trajneri i bardhebluve, Emanuel Egbo është pezulluar me dy ndeshje.

Në këtë mënyrë, klubi i Tiranës duhet të bëjë llogaritë me mungesën e dy armëve të saj më të forta, sulmuesit anglez Ngo’o dhe tifozërisë bardheblu.

Shumë më tolerante është treguar Disiplina ndaj presidentit të Laçit, Pashk Laska, të cilin e ka dënuar me vetëm 3 ndeshje, ndërsa të birin e tij, Kleo Laska e ka dënuar me 9 ndeshje, pra deri në fund të sezonit.

Vendimet e Disiplinës:
1. KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar ndëprerjen e përkohëshme të lojës, në bazë të Nenit 66/3/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
2. Lojtari i KF “Tirana”, Michael Ayodeji Ngoo, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
3. Zyrtari i KF “Tirana” , Emanuel Egbo , për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.


4. Zyrtari i KF “Laçi” , Pashk Laska, për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në stadium, në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.
5. Zyrtari i KF “Laçi”, Kleo Laska, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9(nëntë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
6. Zyrtari i KF “Laçi”, Klevis Hima, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9(nëntë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
7. FK “Partizani”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatoreëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rreglloret e tjera të FSHF.
8. KF “Vllaznia”, paralajmërohet se në rast përsëritje të vonesave në fillimin e lojës do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.
9. Zyrtari i KF “Shënkolli” , Albert Rrusti, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
10. Zyrtari i KF “Vora” ,Rezart Maho, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.

(Kosova Sot)