Ankesat dhe tensionet vetëm sa po rriten

  • 05 April 2019 - 09:42
Ankesat dhe tensionet vetëm sa po rriten

 Klubet kanë nisur ta humbasin besimin te këmishëzinjtë

 “Ka disa lëshime në referim, por po besoj se nuk janë të qëllimshme. Janë gabime që ndodhin, megjithatë duhet shumë kujdes në xhirot në vazhdim, pasi është fundi dhe përqendrimi dhe mund të eskalojë situata, prandaj duhet shumë përgjegjësi për një gjykim sa më cilësor”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” Bekim Shotani

Kampionati ka hyrë në fazën finale të tij, derisa ankesat e klubeve në adresë të gjyqtarëve vetëm sa po shtohen. Kjo edhe ka bërë që tensioni të nisë të vërehet, gjë e cila jep sinjale se vazhdimi mund të sjellë shumë të papritura. Përjashtuar Dritën, që është e sigurt në mesin e tabelës dhe nuk ka ambicie as për titull e as për mbijetesë, si dhe KEK-un, që tashmë ka hequr dorë nga mbijetesa, të gjitha skuadrat tjera i kanë objektivat e hapura, disa për titull e disa për mbijetesë dhe kjo është arsyeja të pritet një garë shumë e fortë deri në fund. Trajneri i mirënjohur vushtrrias, Bekim Shotani, në një analizë bërë ndeshjeve të deritashëm ka thënë se ankesat kohëve të fundit janë rritur dhe, sipas tij, disa janë ankesa me vend, pasi vërtet ka pasur gabime të gjyqtarëve , por ai po shpreson se këto gabime nuk kanë qenë të qëllimshme, ndryshe kampionati mund të futet në një rrugë pa dalje.

Paqartësitë mbesin të mëdha

“Jemi në ciklin e fundit të garës për titull, barazh dhe rënie nga Liga dhe natyrisht presim luftë të madhe deri në fund. Besoj fuqishëm se deri në fund nuk do të dihet fituesi i titull, por as i rënies nga liga dhe kjo sigurisht që e bën garën në moment edhe të tensionuar, por më shpresë se gjithçka do të shkojë në suazat e korrektësisë”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” Bekim Shotani, sipas të cilit tek javët e fundit do të jenë ato që do ta zbulojnë të vërtetën e këtij kampionati.“Unë besoj se përcaktues për titull do të jenë duelet ndërmjet vete të treshes së kreut, Prishtinës, Llapit e Feronikelit, që zhvillohen në xhirot e fundit, deri atëherë besoj se do të jetë gjithçka e komplikuar”, ka vlerësuar Shotani, duke folur më pas edhe për luftën që po bëhet në pjesën e poshtme të tabelës, të cilën e cilëson po aq interesante sa për titull.“Sa i përket luftës për mbijetesë them se edhe ajo do të jetë shumë e ashpër. Përveç KEK-ut, që tashmë ka humbur gjasat, kemi 5 ekipe që rrezikojnë shumë seriozisht barazhin dhe rënien nga Liga. 95 për qind e skuadrave janë në luftë disa për titull e disa për barazh e rënie, kështu që gara është komplet e hapur dhe kjo e bënë kampionatin mjaft interesant”, ka thënë Shotani për gazetën “Kosova Sot”.

Gjyqtarët duhet të reflektojnë

Sa u përket ankesave të klubeve në adresë të gjyqtarëve, Shotani ka thënë se ato në shumë raste janë ankesa me vend, por ai po beson se gabimet e gjyqtarëve nuk janë të qëllimshme.“Në referim them se ka disa lëshime të gjyqtarëve, por po besoj se nuk janë të qëllimshme. Janë gabime që ndodhin, megjithatë duhet shumë kujdes në xhirot në vazhdim pasi është fundi dhe koncentrimi bie dhe mund të eskalojë situata, prandaj duhet shumë përgjegjësi për një gjykim sa më cilësorë. Kemi referë cilësorë dhe shumë të mirë, prandaj duhet t’ju besojmë, sepse po kanë suksese edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Shotani, i cili kërkon edhe nga klubet të mos bëjnë shumë presion.“Sa u përket ankesave, kemi shumë dhe është e vërtetë se në disa raste janë ankesa me vend, por po e përsërisë gabimet nuk besoj se janë të qëllimshme. Gjithsesi, shpresoj se do të ketë përmirësim në këto javët e mbetura dhe gara të mos eskalojë”, ka përfunduar Bekim Shotani.

Përjashtuar Dritën, që është e sigurt në mesin e tabelës dhe nuk ka ambicie as për titull e as për mbijetesë, si dhe KEK-un, që tashmë ka hequr dorë nga mbijetesa, të gjitha skuadrat e tjera i kanë objektivat e hapura, disa për titull e disa për mbijetesë dhe kjo është arsye të pritet një garë shumë e fortë deri në fund

Sa i përket ankesave të klubeve në adresë të gjyqtarëve, Shotani ka thënë se ato në shumë raste janë ankesa me vend, por ai po beson se gabimet e gjyqtarëve nuk janë të qëllimshme.“Në referim them se ka disa lëshime të gjyqtarëve, por po besoj se nuk janë të qëllimshme

(Kosova Sot)