Milaim Rama, inspirimi i Behramit, Shaqirit e Xhakës

  • 15 April 2019 - 11:28
Milaim Rama, inspirimi i Behramit, Shaqirit e Xhakës

Milaim Rama është futbollisti i parë nga Kosova që ka luajtur në Përfaqësuesen e Zvicrës. Ish-sulmuesi i njohur shqiptar e ka rrëfyer eksperiencën e tij tek Helvetikët, 16 vjet pasi e kishte marrë pasaportën zvicerane

Ishte 15 prilli i vitit 2003, fiks 16 vjet më parë kur Milaim Rama e kishte marrë pasaportën zvicerane

Pak më vonë, ai ishte bërë pjesë e Kombëtares së Zvicrës.

Tash, kur kthehet prapa, ish-sulmuesit të rrezikshëm i duket si një ëndërr e bukur, të cilën e shijoi në maksimum.

“Është absolutisht një mrekulli”, thotë Rama.

Edhe mediat zvicerane shkruajnë se ekipi kombëtar i Zvicrës do të ishte vështirë të imagjinohej pa futbollistë shqiptarë, pasi aty janë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, por edhe Admir Mehmedi e Blerim Xhemaili, derisa deri vjet ishte edhe Valon Behrami.

Futbollistë këta që e luajnë rolin kyç tek ekipi i Vladimir Petkovicit.

E para tyre ishte Milaim Rama, i cili pati ngritje të mrekullueshme në karrierë dhe zhvilloi 7 ndeshje me ZVicrën.

Ai kishte shkuar në këtë shtet në vitin 1993, ishte 17 vjeç dhe kurrë nuk kishte luajtur futboll në ndonjë klub.

Skuadra e tij e parë ishte FC Interlaken, kur Milaimi e shtypi butonin, në ligën e pestë zvicerane.

“Pas kësaj, gjithçka shkoi shpejt. Ishte si një mrekulli”, thotë Rama, duke e kujtuar atë kohë.

Thuni e kishte transferuar atë kur ishte bërë 21 vjeç.

Me trajnerin e ri, Hanspeter Latour, Rama kishte shkëlqyer në fillimvitet e 2000-ta duke realizuar 25 gola me Thunin në kampionatin zviceran.

Ai pa dyshim është njëri prej legjendave të Thunit.

Hapat e tij vazhduan në divizionin e parë zviceran dhe më pas shënoi 20 gola.

Më pas, trajneri Kobi Kuhn e kishte thirr në Kombëtare, katër muaj pasi Rama e kishte marrë pasaportën zvicerane.

“Unë e fitova një vend në skuadër falë golave të mi. Unë isha 10 vjet prapa shokëve të skuadrës pasi kisha nisur të luaja vonë futboll. Unë megjithatë e bëra të pamundurën të mundur dhe i bëra të gjithë shqiptarët krenarë”, thekson tutje Rama.

Ai ishte ftuar në Kampionatin Evropian 2004 dhe kishte luajtur 5 minuta në ndeshje me Francën.

“I jam shumë mirënjohës trajnerit Kobi Kuhn që më bëri lojtar të Kombëtares së Zvicrës”, shprehet Rama.

Ai më pas e pati një eksperiencë në Gjermani me ekipin Augsburg, por aty nuk e gjeti sa duhet veten.

Pastaj e kaloi një sezon në ekipin zviceran, FC Schaffhausen.

“Nuk jam pishman dhe nuk më mbetet merak që mbeta pa luajtur në Ligën e Kampionëve. Jam pishman vetëm që i humba nervat dhe pas një viti e shkëputa kontratën me Augsburgun”, nënvizoi Rama, i cili u rikthye në Thun në vitin 2006, ku qëndroi deri në vitin 2012.

Sot, ish sulmuesi kosovar jeton në kantonin e Aargau dhe punon në industrinë e sigurimeve. 

(Kosova Sot)