Solskjaer: Lojtarët e mi duhet ta shohin veten ku janë e të mos fshihen

  • 19 April 2019 - 15:58
Solskjaer: Lojtarët e mi duhet ta shohin veten ku janë e të mos fshihen

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se disa lojtarë të skuadrës së tij duhet ta shikojnë veten se ku janë, pasi “Djajtë e kuq” i kanë humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit të zhvilluara.

Manchester Unitedi u eliminua nga Liga e Kampionëve të martën pas disfatës 3:0 kundër Barcelonës në “Camp Nou”. Ndërsa dy disfatat kundër Wolvesit dhe ajo kundër Arsenalit kanë bërë që ata të eliminohen nga FA Cup dhe të bien në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës.

Para disfatës së tyre kundër Arsenalit, Manchester Unitedi i kishte fituar 14 nga 17 ndeshjet e zhvilluara që nga emërimi i Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit. Mirëpo, trajneri norvegjez i ka paralajmëruar disa lojtarë të tij se duhet ta ngrenë nivelin e tyre të lojës.

“Kam mësuar shumë për gjatë këtyre muajve që kam qenë këtu. Shumica prej tyre më kanë bërë shumë përshtypje me sjelljen e tyre”, është shprehur Solskjaer në konferencën për shtyp.

“Natyrisht, ka disa prej tyre që duhet ta shohin veten ku janë dhe ta ngrenë nivelin e tyre. Por, shumica prej tyre e dinë se mund të përmirësohen nëse vazhdojnë të punojnë”.

“Kam biseduar me disa individë dhe ata e dinë. Anthony [Martial] është njëri prej tyre. Kam folur me të gjithë individualisht për atë që presim ne nga ta. Anthony është shumë i talentuar dhe ka nënshkruar kontratë të re. Ne i besojmë atij”.

“Ata vetëm duhet të vazhdojnë të punojnë. Kushdo që luan për Manchester Unitedit duhet ta dëshmojë veten për ta mbajtur një vend në skuadër . Anthony është si Rashy [Marcus Rashford], Rom [Romelu Lukaku], Alexis [Sanchez] e shumë të tjerë”. 

(Kosova Sot)