Juventus, kampion i Serisë A për të tetin sezon radhazi

  • 20 April 2019 - 20:05
Juventus, kampion i Serisë A për të tetin sezon radhazi

Juventusi e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit të Serisë A për të tetin sezon radhazi, me tre pikët e fituara në ndeshjen kundër Fiorentinës, e cila përfundoi me rezultat 2:1 në stadiumin “Allianz”.

Juventusi po vazhdon ta dominojë futbollin në Itali dhe sot e siguroi edhe titullin e 35-të të Serisë A, apo të tetin radhazi.

Me këtë titull Juventusi i gëzoi sot tifozët e klubit, që kishin mbetur të zhgënjyer nga dështimi i mesjavës, kur u eliminuan nga Liga e Kampionëve, pas disfatës tronditëse kundër Ajaxit në shtëpi.

Fiorentino kaloi fillimisht në epërsi në minutën e gjashtë të ndeshjes përmes golit të shënuar nga Nikola Milenkovic. Megjithatë, goli i Alex Sandrot dhe autogoli i German Pezzellas ia siguruan fitoren në këtë ndeshje Juventusit.

Këto tri pikë bëjnë që edhe nëse Napoli, që renditet në pozitën e dytë, i fiton të gjitha ndeshjet  mbetura deri në fund dhe Juventusi i humb të gjitha, Juventusi prapëseprapë do ta mbajë pozitën e parë dhe do ta fitojë medaljen e artë.

Kjo do të jetë medalja e parë e artë e Serisë A për Cristiano Ronaldon, i cili ishte vendimtar në autogolin e Pezzellas. Kjo ndeshje kaq e rëndësishme ishte e 800-ta në karrierën e Ronaldos me klubet e futbollit si profesionist. 

(Kosova Sot)