Galatasaray apo Fenerbahçe? Kjo është përgjigja e Vedat Muriqit për të ardhmen e tij!

  • 22 April 2019 - 12:12
Galatasaray apo Fenerbahçe? Kjo është përgjigja e Vedat Muriqit për të ardhmen e tij!

Sulmuesi kosovar thotë se nuk po mendon për afatin kalimtar të verës, dhe pse flitet se dy gjigantët e futbollit turk janë në garë për shërbimet e tij

Vedat Muriqi po vazhdon të shkëlqejë në kampionatin turk.

Sulmuesi kosovar ishte protagonist i Rizesporit edhe fundjavën që shkoi, duke shënuar në minutën e 62-të barazimin 1:1 ndaj Istanbul Bashakshehirit.

Përfaqësuesi kosovar arriti në kuotën e 13 golave, ndërsa ka edhe 7 asistime.

Këto statistika impresionuese kanë bërë që për shërbimet e tij të interesohen gjigantët e futbollit turk, Galatasaray e Fenerbahçe.

Mirëpo, prizrenasi thotë se nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij.

“Unë i kam shënuar 13 gola në ligë. Jam mjaft i lumtur që po kontribuoj për ekipin. Për momentin nuk do të ketë lajme të reja rreth transferit. Unë gjithmonë e kam thënë, do ta bëj punën time në fushë, ndërsa me transfere do të merret presidenti ynë. Unë kam kontratë me Rizesporin. E kam edhe një vit kontratë. Do ta bëj më të mirën për Rizesporin”, ka thënë Muriqi.

Ai ndihet keq që Rizespori pësoi gol në minutën e fundit ndaj Bashakshehirit.

Mirëpo, shton se ekipi i tij nuk ia ka frikën askujt dhe se do të mundohet ta fitojë çdo ndeshje dhe ta mbyll sezonin sa më lart në tabelë.

Muriqi ndërkohë është sulmuesi i parë i Përfaqësueses së Kosovës, e cila pret shumë nga ai në ndeshjet e qershorit, në kualifikimet e Evropianit 2020. 

(Kosova Sot)