Wenger e mbështet Vieiran që të bëhet trajner i Arsenalit

  • 23 April 2019 - 14:36
Wenger e mbështet Vieiran që të bëhet trajner i Arsenalit

Arsene Wenger beson se Patrick Vieira do të kthehet në të ardhmen te Arsenali për t’u bërë trajner i skuadrës.

Ish-mesfushori i Topçinjve është duke marrë përvojë si trajner. Në të kaluarën, ai kishte pasur një rol trajnues në ekipin e të rinjve të Manchester Cityt dhe më pas kishte marrë një rol në ekipin New York Cityt në MLS.

Në vitin 2018, u kthye në Francë te skuadra e Nice, ndërsa ekspertët e kanë vlerësuar angazhimin e tij si trajner në Ligue 1.

Madje emri i tij është përmendur si një zëvendësues potencial i Didier Deschamps te kombëtarja e Francës, kur të largohet fituesi i Kupës së Botës. 

“E shoh si trajner të Arsenalit një ditë, sepse mendoj se është akoma i ri për të shkuar menjëherë në futbollin ndërkombëtar (te përfaqësuesja). Mendoj se jeta e tij do të shkojë përmes futbollit të klubeve”, ka thënë Wenger për Canal Football Club.

(Kosova Sot)