Favoritët e “Play-off”-it

  • 24 April 2019 - 09:17
Favoritët e “Play-off”-it

Ylli-Rahoveci, një përballje e paparashikueshme dhe me interesim të madh

Në mesjavë nisën ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it, ku Prishtina dhe Ylli shihen favoritë ndaj Bashkimit, përkatësisht Rahovecit. Kur zhvillohet pjesa përfundimtare e kampionatit po rritet interesimi dhe pritet të rritet edhe shikueshmëria në palestrat tona. Në ndeshjet çerekfinale nuk munguan edhe akuzat, duke rritur adrenalinën më shumë në pjesën ku vendoset gjithçka

Takimet çerekfinale të “Play-off”-it në basketbollin e Kosovës dhuruan emocione që kishin munguar në pjesën e rregullt të kampionatit me Prishtinën, që nuk kishte konkurrencë. Bashkimi eliminoi Trepçën për t’u ballafaquar me Z Mobile Prishtinën, derisa Rahoveci pas tre ndeshjeve dramatike e me shumë akuza eliminoi Ponte Prizrenin, ku ballafaqohet me Golden Eagle Ylli. Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin tre fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt. Në finale të “Play-off”-it takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore. Finalja e “Play-off”-it zhvillohet sipas formatit vajtje-ardhje. Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i renditur në edicionin e rregullt dhe luan si vendës në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5. Ndërkohë, një rang më poshtë ka rënë AFK Borea, derisa është inkuadruar Feronikeli. Vëllaznimi luan me Lipjanin në ‘Play-out’.

Befasitë

Në këtë edicion gjashtë skuadra hyn në “Play-off” për të bërë garën më interesante, ku dy skuadrat e para pushuan. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka folur për favoritët e garave shtesë. “Duke marrë parasysh formën e treguar mendoj se Z Mobile Prishtina dhe Golden Eagle Ylli janë favoritë për të shkuar në finale, dhe ku pritet një ballafaqim mjaft interesant ndërmjet këtyre dy skuadrave. Sigurisht se nuk përjashtohet mundësia që të ketë befasi, sidomos tani në garat shtesë. Por, në këto ballafaqime ka përparësi fusha vendase, andaj Prishtina dhe Ylli janë favoritë për të kaluar tutje. Gjithashtu këto dy skuadra kanë pasur mundësi të pushojnë lojtarët të rikuperojnë energjitë për këto takime. Janë më të freskët dhe janë në epërsi ndaj kundërshtarëve”, është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”. Prishtina nuk kishte asnjë humbje në garat e rregullta me 28 fitore, derisa gjithashtu kishte fituar edhe Kupën e Kosovës në basketboll.

 Cilësia dhe shikueshmëria

Ndeshjet e Kupës jo vetëm që kishin dhuruar emocione, por në Rahovec, palestra ishte e mbushur për ditë të tëra. Kjo shpresohet se do të ndodhë edhe në garat shtesë të Superligës. “Prishtina është favorit ndaj Bashkimit, madje, absolute ndaj kampionit aktual të Kosovës. Kanë ekip më të mirë dhe kanë përparësinë e fushës. Pres që Prishtinë në finale t’i bashkohet Ylli. I shoh therandasit në epërsi ndaj Rahovecit, por kjo mbetet të dëshmohet në fushë. Do të shohim nëse do të ketë basketboll më cilësor në përfundimtaret e “Play-off”-it dhe të ketë një numër sa më të madh shikuesish nëpër palestrat tona. Basketbolli luhet për shikues dhe e meriton që palestrat të jenë të mbushura, sidomos tani kur zhvillohet pjesa përfundimtare e kampionatit”, ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”. Edicionin e kaluar kampion ishte shpallur Bashkimi, që ishte e para në histori të klubit, megjithatë, prizrenasit kishin shumë probleme në këtë edicion dhe kjo ndikoi në paraqitjet e rezultatet në garat vendore dhe Ligën Ballkanike.

Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt. Në finale të “Play-off”-it takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve

Bashkimi eliminoi Trepçën për t’u ballafaquar me Z Mobile Prishtinën, derisa Rahoveci pas tre ndeshjeve dramatike e me shumë akuza eliminoi Ponte Prizrenin, ku ballafaqohet me Golden Eagle Ylli

(Kosova Sot)