“Liverpooli mund të fitojë 4:0 kundër Barcelonës”

  • 07 May 2019 - 11:22
“Liverpooli mund të fitojë 4:0 kundër Barcelonës”

Ilkay Gundogan i Manchester Cityt beson se Liverpooli ende ka gjasa ta sigurojë një vend në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, përkundër që e humbi gjysmëfinalen e parë kundër Barcelonës me rezultat 3:0.

Skuadra e Jurgen Kloppit pësoi disfatë me rezultat 3:0 në “Camp Nou” të mërkurën e kaluar, kur një paraqitje spektakolare e Lionel Messit ia uli anglezëve shpresat për titullin e Ligës së Kampionëve

Goli nga gjuajtja e lirë e Lionel Messit, në minutën e 82-të të ndeshjes, ishte goditja e fundit për Liverpoolit, që tani do të duhet t’i shënojë të paktën tri gola për t’u barazuar me rezultat të përgjithshëm me Barcelonën.

Detyra e tyre është vështirësuar edhe më shumë, pasi që skuadrës së Jurgen Kloppit do t’i mungojnë Mohamed Salahu dhe Roberto Firmino. Që të janë të lënduar.

Megjithatë, Ilkay Gundogan ende beson se Liverpooli mund ta tronditë Barcelonën duke e fituar atë përballje me rezultat 4:0.

“Veçse kam menduar për këtë përballje dhe disi e kam një ndjenjë që asgjë nuk ka përfunduar ende. Unë mund ta paramendoj Liverpoolin duke e fituar këtë ndeshje në shtëpi me rezultat 4:0”, ka thënë Gundogan.

“Nuk e di pse, por mendoj që në Anfield dhe me Kloppin si makinë motivuese dhe me lojtarët që Liverpooli i ka në skuadër, as një klub si Barcelona nuk mund t’u rezistojë atyre për të gjithë ndeshjen”.

Gundogan ishte transferuar nga Nurnbergu në Borussia Dortmund nga Jurgen Kloppi, para se të transferojë në Manchester City për 20 milionë funta në vitin 2016. Me Kloppin, ai i fitoi titujt e Bundesligës dhe të Kupës së Gjermanisë në sezonin 2011/12.

Por, Kloppi ishte duke shikuar mbrëmë, kur Gundogani i ndihmoi Manchester Cityt ta sigurojë një fitore tejet të rëndësishme në garën për titullin e Premierligës. Skuadra e Pep Guardiola është një pikë para Liverpoolit në tabelë dhe tani ka mbetur vetëm një ndeshje para fundit të sezonit. 

(Kosova Sot Online)