Pochettino e paralajmëron largimin nga Tottenhami, nëse triumfon në Champions

  • 08 May 2019 - 13:37
Pochettino e paralajmëron largimin nga Tottenhami, nëse triumfon në Champions

Mauricio Pochettino ka sugjeruar se do të largohet nga pozita e trajnerit të Tottenhamit, nëse klubi arriti ta kthejë në realitet ëndrrën për triumf në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Tottenhami duhet ta përmbysë rezultatin nga disfata 1:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale për ta zënë një vend në finale të Ligës së Kampionëve. Për ta bërë këtë, londinezët do ta vizitojnë Ajaxin sonte në Amsterdam

Trajneri Mauricio Pochettino beson se ai nuk do të ishte në gjendje ta përsëriste mrekullinë e triumfit në Ligën e Kampionëve dhe për këtë arsye do ta gjente një sfidë tjetër, në rast se Tottenhami arrin ta fitojë trofeun evropian këtë vit.

Gjatë vitit të fundit, argjentinasi ka qenë i përfolur për emërimin në pozitën e trajnerit të disa klubeve, përfshirë këtu Real Madridin dhe Manchester Unitedin. Ai tani po synon ta fitojë trofeun e tij të parë që nga viti 2014.

Kur u pyet nëse triumfi në Ligën e Kampionëve do të kishte qenë i mundur para pesë vjetëve, Pochettino tha: “Ta fitosh titullin e Ligës së Kampionëve? Do të ishte fantastike, apo jo? Ta mbyllësh një kapitull pesëvjeçar dhe të shkosh në shtëpi”.

“Nuk është shaka, pse? Ta fitosh titullin e Ligës së Kampionëve me Tottenhamin në këto rrethana këtë sezon… ndoshta më duhet të mendoj për të bërë diçka tjetër pastaj në të ardhmen. Sepse ta përsëritësh mrekullinë, e dini….”

Tottenhami ose Ajaxi do të përballet me Liverpoolin në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, Wanda Metropolitano. /

(Kosova Sot Online)