Alderweireld: Liverpool? Fillimisht duhet të festojmë

  • 09 May 2019 - 09:00
Alderweireld: Liverpool? Fillimisht duhet të festojmë

Qendërmbrojtësi i Tottenhamit, Toby Alderweireld, beson se gjithçka mund të ndodhë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit. Megjithatë, belgu e pranoi se ata fillimisht do të festojnë e pastaj do t’i fillojnë përgatitjet për finalen.

Tottenhami udhëtoi në Holandë për t’u përballur me Ajaxin, që ndeshjen e kaluar në Londër e kishte fituar me rezultat 1:0. Anglezët shpresonin se do ta barazonin rezultatin e përgjithshëm qysh në fillim të ndeshjes, mirëpo pjesa e parë u mbyll me epërsinë 2:0 të holandezëve.

Matthijs de Ligt dhe Hakim Ziyech shënuan nga një gol në pjesën e parë të ndeshjes kthyese në gjysmëfinale dhe ia dhanë Ajaxit epërsinë 2:0, apo me rezultat të përgjithshëm 3:0.

Megjithatë, kjo epërsi prej tri golave nuk i mjaftoi holandezëve, pasi që Tottenhami u kthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe Tottenhami arriti të kualifikohet në finale për shkak të het-trikut të Lucas Mouras.

Edhe pse rezultati i përgjithshëm i përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit ishte 3:3, londinezët u kualifikuan në finalen e Ligës së Kampionëve për shkak të epërsisë me gola të shënuara si mysafirë.

Për shkak të emocioneve të mëdha të asaj nate, ish-lojtari i Ajaxit, tani në Tottenham, Alderweireld e pranoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij do të festonin para se t’i fillonin përgatitjet për finale.

“Së pari duhet të festojmë dhe ta shijojmë këtë natë. Pastaj duhet të përgatitemi. I kemi edhe tri javë kohë për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Mezi po presim, gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh belgu.

Tani, Tottenhami do të takohet me Liverpoolin në finalen angleze të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, “Wanda Metropolitano”.

(Kosova Sot Online)