Përralla me fund të hidhur: Pas sezonit të jashtëzakonshëm, Ajaxi do të gjymtohet nga transferimet

  • 09 May 2019 - 14:25
Përralla me fund të hidhur: Pas sezonit të jashtëzakonshëm, Ajaxi do të gjymtohet nga transferimet

Më shumë sesa dy dekada pasi skuadra e fundit e madhe e Ajaxit e sundoi Evropës, djelmoshat e Erik ten Hag pësuan njërën prej disfatave më të hidhura në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, kundër Tottenhamit.

Përralla i la me zemër të thyer holandezët, Ajaxi ishte shumë afër të shkruajë histori me finalen e tyre të parë në Ligën e Kampionëve pas 23 vjetëve. Mirëpo, në vend të kësaj ata mbetën të zhgënjyer pasi Tottenhami e përmbysi rezultatin dhe e siguroi një vend në finale.

Matthijs de Ligti si lider dhe një skuadër e mbushur me talente të rinj nuk i mjaftuan Ajaxit ta ndalë Tottenhamit, pasi që Lucas Moura me het-trikun e tij u bë heroi i natës.

Lojtarët vendas shpërthyen në lot në fund të ndeshjes, pasi e humbën ndeshjen dhe mundësinë që mund të mos e kenë kurrë më në karrierë.

Në maj të vitit 1995, Ajaxi e konfirmoi statusin e vet si klubi më i mirë në planet duke e mposhtur një Milan të mbushur me superyje në finale të Ligës së Kampionëve në Vienë. Ndeshja përfundoi me rezultat 1:0.

12 muaj më vonë, kapiteni Danny Blind shkoi shumë afër ta ngrejë këtë trofe për të dytin sezon radhazi, mirëpo Juventusi triumfoi pas gjuajtjes së penalltive.

Megjithatë, skuadra aktuale e Ajaxit nuk lejoi t’i përshtatej skenarëve të krijuar këtë sezon, pasi që e mahniti botën me paraqitjes mbresëlënëse, me të cilët e eliminoi kampionin në fuqi, Real Madridit, dhe njërin prej favoritëve për titull, Juventusin e Cristiano Ronaldos.

Shumë menduan se ata e meritonin të arrinin në finale. Megjithatë, Tottenhami rezultoi të jetë sfidë shumë e madhe për ta, pasi që skuadra e Mauricio Pochettinos i ndoqi hapat e Liverpoolit dhe e bëri mrekullinë duke e përmbysur rezultatin dhe duke e siguruar një vend në finale.

Në vitin 1995 dhe 1996, yjet e Ajaxit veçse ishin në kulmin e karrierës së tyre. Ndërsa, në krahasim me ta, skuadra aktuale e klubit holandez është e mbushur me talente të reja, shumë prej të cilëve po e luajnë sezonin e tyre të parë si profesionistë.

Përvoja mund të ketë qenë arsyeja e rënies së mbrëmshme të kësaj skuadre të Ajaxit, pasi që shumica e lojtarëve nuk ishin të mësuar me presionin në nivelin më të lartë të futbollit, në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Edhe ditët e këtyre lojtarëve së bashku janë të numëruar. Transferimi i Frenkie de Jongut në Barcelonë tashmë është zyrtar dhe hapat e tij pritet t’i ndjekë edhe kapiteni 19-vjeçar, Matthijs de Ligt.

Ky sezon i mrekullueshëm i Ajaxit pritet të përfundojë me largimin e edhe lojtarëve të tjerë të skuadrës. Ajaxi do të mbetet me një skuadër të gjymtuar, pa garanci se do të mundë të gjejë zëvendësues të të njëjtit nivel.

(Kosova Sot Online)