Solskjaer përgjigjet për transferimin e mundshëm të Jamesit

  • 10 May 2019 - 14:55
Solskjaer përgjigjet për transferimin e mundshëm të Jamesit

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka refuzuar të përgjigjet ndaj spekulimeve se “Djajtë e kuq” janë shumë afër transferimit të anësorit të Swansea Cityt, Daniel James.

Sky Sports raportoi se Manchester Unitedit është shumë afër arritjes së marrëveshjes për ta transferuar uellsianin Daniel James nga Swansea City për 15 milionë funta gjatë verës.

Por, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Cardiff Cityt të dielën, trajneri Ole Gunnar Solskjaer nuk pranoi ta komentojë specifikisht rastin e Jamesit, duke thënë nuk dëshiron të flasë për lojtarët që ende s’janë pjesë e skuadrës së tij.

“Nuk mund të komentoj për secilin individ dhe ka shumë, shumë lojtarë”, u përgjigj Solskjaer kur u pyet nga gazetarët për rastin e Daniel James.

“E kam thënë këtë gjë edhe më parë: Nuk më pëlqen kur trajnerët e tjerë flasin për lojtarët e mi dhe unë nuk do të flisja për lojtarë të tjerë, edhe nëse jam apo nuk jam i interesuar për atë futbollist”.

“Nuk e di sesa emra të futbollistëve janë përmendur. Ka lojtarë të cilët tashmë e kam parë se ju keni thënë se ne do t’i transferojmë ata. Sa më herët të përfundohen transferimet, aq më mirë”

James e kishte kërkuar edhe më parë largimin nga Swansea dhe gjatë afatit kalimtar të janarit kishte qenë shumë afër transferimit të Leeds United për 8.5 milionë funta. Mirëpo, në fund kjo marrëveshje dështoi.

Leeds Unitedi e pati mundësinë që ta huazojë Jamesin për 1.5 milionë funta deri në fund të vitit dhe pastaj verës ta blejë për 7 milionë funta. Kjo shumë është dukshëm më e lirë sesa ajo që po i kërkohet Manchester Unitedit, 15 milionë funta.

Jamesit i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij me Swansea Cityn. Ai ka shkëlqyer këtë sezon në Angli, ku në 38 paraqitjet e tij, i ka regjistruar pesë gola dhe dhjetë asiste.

21-vjeçari preferon të luajë në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, mirëpo nganjëherë luan edhe në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë dhe si mesfushor sulmues.

Manchester Unitedi ka më shumë nevojë për një sulmues në krahun e djathtë sesa një në krahun e majtë. Aktualisht në skuadër të “Djajve të kuq” në krahun e majtë preferojnë të luajnë Anthony Martial, Marcus Rashford dhe Alexis Sanchez. Ndërsa, në krahun e djathtë, Solskjaer luan me lojtarë të cilëve ua ndërron pozitën, si Juan Mata.

(Kosova Sot Online)