Falimentime, valixhe me para për trukim dhe mik i pushtetit: Enrico Preziosi braktis Genoan!

  • 15 May 2019 - 17:15
Falimentime, valixhe me para për trukim dhe mik i pushtetit: Enrico Preziosi braktis Genoan!

Enrico Preziosi është njeriu më i urryer nga tifozët e Genoas, prej disa vitesh. E gjitha për shkak të interesave personalë të cilat i ka vendosur përpara atyre të komunitetit dhe tifozerisë besnike të një qyteti që jeton më futboll.

Genoa ka dalë zyrtarisht në shitje, në një moment tepër të vështirë, ku në dy javët e mbetura të Serie A, duhet medoemos të fitojë për të siguruar mbijetesën, duke qenë vetëm 1 pikë larg Empolit, i cili ndodhet i katërti nga fundi i klasifikimit.

Image

Por, sezoni i vështirë erdhi pikërisht nga një tjetër vit me merkato të dështuar, ku në janar, padroni kuqeblu, mendoi të arkëtonte të famshmet 35 mln euro për Piatek, por në vend që të fuqizonte skuadrën, shpenzoi për disa lojtarë që nuk kanë dhënë asgjë.

Madje, jo vetëm aq, por do të rimerrte Sturaron, duke i paguar Juventusit 16,5 mln euro, pa harruar gjatë verës Favillin, huazim me detyrim blerje për 12 mln euro në total.

Image

Përtej merkatos së çuditshme dhe misterioze, ajo që bie në sy është se gjatë gjithë këtyre viteve Preziosi nuk ka menduar kurrë për të ardhmen e një klubi të cilit i ka borxh shumë, pasi në vitin 2005 bëri që Genoa të pësonte një grusht të rëndë: nga Serie B në Serie C, për shkelje sportive.

Pak a shumë ajo që ndodhi me Palermon sivjet. Enrico Preziosi, gjatë operacionit për të monitoruar trukimet e ndeshjeve, u kap me një valixhe me 250 mijë euro të cilat i mori drejtuesi i Venezias, i cili dilte nga zyrat "Gioci Preziosi", pronari i të cilës është presidenti i Genoas.

Edhe pse zyrtari i Venezias mohoi se paratë ishin për trukim, duke u fshehur pas një shitje futbollisti (Ruben Maldonado), prokuroria nuk e besoi aspak. Kështu, Genoa u hodh në kategorinë e tretë dhe e rinisi nga aty.

Image

Njollat e Preziosit shkojnë edhe më tej, vite më larg. Përpara se të merrte Genoan, Preziosi ishte pronar i Como Calcio, që sot është në Lega Pro sërish pas falimentimit. Në fakt, Preziosi në tri vite e nxorri nga Serie C në Serie A, por dy vite më pas, për shkak të falsikifimit të bilanceve, e falimentoi për vetëm 6 milionë euro borxhe, duke u dënuar, edhe pse më pas kërkoi vetëm padi dhe një gjobë.

Mik i fortë me pushtetin, nga familja Agnelli te ajo Berlusconi e Moratti, gjithmonë ia ka hedhur "paq"... Tani, nxjerr në shitje Genoan, me rrezikun e rënies në kategori të dytë.

Image

(Kosova Sot Online)