Rashicën e do Leipzigu, ky është vendimi i Werder Bremenit!

  • 17 May 2019 - 10:31
Rashicën e do Leipzigu, ky është vendimi i Werder Bremenit!

Klubi gjerman është i vendosur ta mbajë futbollistin kosovar në skuadër së paku edhe një sezon. Drejtuesit e klubit thonë se edhe vetë vushtrriasi preferon qëndrimin në klubin aktual, përkundër interesimit të Leipzigut

Milot Rashica po e kalon sezonin më të mirë në karrierë.

Futbollisti kosovar ka shkëlqyer gjatë vitit 2019 duke realizuar 10 gola, ndërsa në total ka realizuar 11 sosh.

22 vjeçari ishte transferuar në Werder Bremen në dimrin e vitit 2018, ndërsa në sezonin e tij të dytë ka nisur të dalë në pah.

Paraqitjet brilante u kanë rënë në sy klubeve tjera dhe së fundmi tabloidi gjerman “Bild” njoftoi për një interesim të RB Leipzigut për shërbimet e tij.

Por, a do ta shesë Werderi gjatë verës Rashicën, të cilin e kishte blerë 7 milionë euro nga Vitesse Arnheim?

“Jo”, është i prerë drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann.

“Ne nuk e kemi marrë asnjë ofertë për lojtarin”, ka shtuar ai.

Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022 dhe largimi i tij nuk ka qenë kurrë temë diskutimi.

“Ka një marrëveshje të qartë bashkëpunimi në mes të Werderit dhe Milotit”, nënvizoi Baumann.
 

Image

Përfaqësuesi kosovar është bërë njëri prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së trajnerit Florian Kohfeldt.

Por, drejtuesit e klubit nga Bundesliga besojnë se Rashica do të bëhet lojtar edhe më i mirë.

“Zhvillimi i Milotit është larg limitit që mund ta arrijë ai. Ai është në duar të sigurta dhe nuk ka ndonjë synim të tij për t’u larguar”, insiston Baumann.
 

Image

Ai thotë se nuk ka asgjë të keqe nëse klubet tjera interesohen për lojtarët kryesorë të Werderit.

“Nëse klubet më të mira interesohen për lojtarët tanë, ne jemi të lumtur, sepse kjo nënkupton se jemi duke bërë mjaft mirë”, përfundoi drejtori sportiv i Werderit. 


(Kosova Sot Online)