Grezda ‘thumbon’ Panuccin: “Reja di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët”

  • 23 May 2019 - 22:36
Grezda ‘thumbon’ Panuccin: “Reja di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët”

Eros Grezda është një nga të paktët “veteranë” të Kombëtares kuqezi, që është vënë në dispozicion të trajnerit Edi Reja, në këto ditë të para të grumbullimit para ndeshjeve eliminatore ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Sulmuesi gjakovar, i cili luan me Rangers, ka dhënë një intervistë për Supersport, nga qendra e grumbullimit të kuqezinjve në hotel “Tropikal” në Durrës, ku ka folur me superlativa për trajnerin e ri të kuqezinjve.

Edhe pse është herët për të vlerësuar, Grezda thotë se tashmë e sheh një dallim mes ish trajnerit, Christian Panucci dhe trajnerit të tanishëm, Reja.

“A keni evidentuar ndonjë dallim mes Rejës dhe Panuccit? Është ende herët, por ndryshimi shihet, pasi janë dy persona totalisht të ndryshëm. Edhe eksperienca bën të vetën, pasi Panucci ishte në fillimet e tij, ndërsa Reja ka shumë vite përvojë dhe di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët”, deklaroi Grezda.

24-vjeçari nuk ka kaluar një sezon të mirë te Rangers që udhëhiqet nga legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard.

Për shkak edhe të dëmtimeve, Grezda është paraqitur vetëm në 17 ndeshje për Rangers, ka shënuar 2 gola dhe ka asistuar një herë.

(Kosova Sot Online)