Rinovimi i PSG me Tuchel, lajm fantastik për Real Madridin

  • 26 May 2019 - 14:46
Rinovimi i PSG me Tuchel, lajm fantastik për Real Madridin

Paris Saint-Germain rinovoi kontratën me Thomas Tuchel duke dhënë sinjale të qarta për vazhdimësinë e gjermanit, pavarësisht zërave dhe spekulimeve që publikoheshin çdo ditë në media. Gjithsesi në Paris janë krijuar dy blloqe që kërkojnë të jenë të vetëm në fronin e skuadrës.

Neymar Junior dhe Kylian Mbappe janë dy yjet e momentit. Braziliani ishte lideri i konfirmuar i skuadrës dhe gjithçka rrotullohet rreth tij, mirëpo ngritja e francezit, që pas fitimin të Kupës së Botës ka bërë që ai të zbehë figurën e Neymar, edhe për shkak të dëmtimeve dhe formës jo të mirë të tij.

Vetëm pak kohë më parë Mbappe deklaroi publikisht se kërkon më shumë përgjegjësi, ose do e kërkojë diku tjetër të ardhmen e tij. Kjo alarmoi PSG-në dhe vetë trajnerin Tuchel, që tha se nuk ishte e nevojshme që 21-vjeçari të thoshte të tilla fjalë.

Image

Ndërkohë në anën tjetër Neymar vijon të jetë më shumë një produkt marketingu sesa vlera në fushën e lojës. Së fundi, ai është larguar për në Brazil, ku po zhvillon disa reklama, por që ka krijuar shqetësim tek trajneri Tuchel sepse është larguar shumë shpesh dhe asnjëherë gjermani nuk ka qenë në dijeni se çfarë po ndodh.

Situata është e qartë tek PSG: “Dy kunguj nuk mbahen nën një sqetull”, thotë populli dhe tek PSG Neymar e Mbappe nuk mund të qëndrojnë të dy, sepse në një skuadër ka vetëm një lider dhe gjithçka sillet rreth atij.

Për këtë, drejtuesit duhet të bëjnë një zgjedhje mes Neymar dhe Mbappe, në këtë drejtim francezi është më i avantazhuar për faktin se trajneri ka marrëdhënie më të mirë me të.

Image

I ditur është fakti se Mbappe është një lojtar që premton të ardhme të ndritur, duke u nisur edhe nga mosha e tij, që premton sukses vit pas viti. Shtoi këtu që është francez dhe PSG dëshiron të forcojë imazhin e klubit në Francë, aty ku vendasit nuk e duan sepse e shohin si klub të huaj, për shkak të pronësisë së klubit.

Duke analizuar të gjithë këto faktorë, Neymar shtyhet drejt largimit në merkaton e kësaj vere. Kush mund ta marrë? E kush tjetër përveç Real Madridit mund të sigurojë një shumë stratosferike prej 250 milionë euro për një galaktik. Për këtë, në Spanjë janë duke analizuar të gjithë faktorët që do rikthejnë në La Liga Neymar, por këtë herë me fanellën e bardhe madrilene.

(Kosova Sot Online)