Xhaka e komenton humbjen e dyfishtë të Arsenalit

  • 30 May 2019 - 12:15
Xhaka e komenton humbjen e dyfishtë të Arsenalit

Granit Xhaka thotë se humbja nga Chelsea në finale të Europa Leagues dhemb dyfish pasi disfata 1:4 në Baku e la Arsenalin pa pjesëmarrje në Champions League sezonin e ardhshëm

Granit Xhaka u është përgjigjur kritikëve pas humbjes nga Chelsea në finale të Europa Leagues.

“Blues” fituan me rezultat bindës 4:1 në finalen e Bakusë duke ia mohuar Arsenalit edhe pjesëmarrjen në Champions League.

“Nuk më intereson se çka flasin njerëzit për ne në rrjetet sociale. Ne e dimë se çfarë kualitetesh kemi, ndërsa njerëzit në rrjetet sociale mund të shkruajnë dhe të flasin çka të duan. Shumë njerëz ia teprojnë duke folur”, ka thënë fillimisht Xhaka për “TalkSPORT” në zonën miks pas lojës.

Ai po ashtu e ka shprehur zhgënjimin pas humbjes në finalen që u luajt në Azerbajxhan, ku Arsenali e kishte mundësinë që me një fitore ta siguronte edhe kualifikimin në Champions League.

“Natyrisht, ne jemi të dëshpëruar. Nëse e humb një finale nuk mund të jesh i lumtur. Të gjithë tifozët e Arsenalit, lojtarët, klubi, të gjithë janë të zhgënjyer”, vazhdoi ai.

“Ne nuk përfunduam në Top 4 në Premierligë. E kishim rastin e dytë sonte. Nëse nuk e shfrytëzon shansin, përfundon në Europa League”, shtoi Xhaka, i cili e ka analizuar ndeshjen e mbrëmshme.

“Mendoj se luajtëm mjaft mirë në pjesën e parë. Kishim raste të mira në pjesën e parë. Ata shënuan herët në pjesën e dytë dhe më pas mendoj se e hapëm lojën shumë herët. Por, kur rezultati bëhet 2:0, merr fund gjithçka”, ka përfunduar Xhaka. 

(Kosova Sot Online)