Klopp: Nga vajza jotërheqëse e fshatit, Liverpooli është shndërruar në supermodele

  • 30 May 2019 - 12:34
Klopp: Nga vajza jotërheqëse e fshatit, Liverpooli është shndërruar në supermodele

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp beson se skuadra e tij është shndërruar nga vajza jo më tërheqëse e fshatit në një supermodele, pasi që tani është njëra ndër pesë apo gjashtë klubet më të mira në Evropë.

Qe kur Jurgen Kloppi u emërua në pozitën e trajnerit, Liverpooli ka kaluar nëpër një lloj revolucioni dhe tani është kthyer në një klub që i tërheq lojtarët më të famshëm në botë.

Arritja deri në finale të Ligës së Kampionëve për të dytin sezon radhazi, si dhe gara e ngushtë për titullin e Premierligës këtë sezon me Manchester Cityn, ka bërë që puna e Kloppit në “Anfield” të marrë shumë lëvdata.

Për të arritur deri në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen të shtunën me Tottenhamin, Liverpooli u desh ta sigurojë një fitore të jashtëzakonshme kundër Barcelonës në ndeshjen kthyese.

“Nëse do ta kisha shikuar atë ndeshje kundër Barcelonës si shtatëvjeçar, do ta kisha mbajtur mend prapëseprapë”, ka thënë Kloppi për Telegraph, duke iu referuar fitores me rezultat 4:0 në ndeshjen kthyese, pas disfatës 3:0 në Camp Nou, në gjysmëfinale.

“Të gjithë në futboll e dinë se ishte diçka e veçantë dhe ajo nuk ishte diçka që e përjeton shpeshherë në jetë. Liverpooli është shndërruar nga vajza jo më tërheqëse në fshat në një supermodele”.

“Ne jemi ndër pesë apo gjashtë klubet më të mirë në Evropë përsëri. Nuk e di kur ishte për herë të fundit një gjë e tillë e vërtetë, por kishte kaluar një kohë e gjatë. Për këtë arsye, jam i lumtur për njerëzit”.

“Ata e shohin klubin e tyre dhe mendojnë: “Shikojeni atë. Shikojeni atë të kuqe. Ai është Liverpooli”. Kështu ndihemi ne tani. Kur tentoj ta transferoj ndonjë lojtar, nuk kam nevojë t’i bindë lojtarët për projektin në Liverpool. Tani është e qartë”.

(Kosova Sot Online)