Abrashi: S’mund ta krahasoj Rejan me Panuccin

  • 31 May 2019 - 16:08
Abrashi: S’mund ta krahasoj Rejan me Panuccin

Amir Abrashi është tashmë një veteran në kombëtaren shqiptare, me rreth 30 ndeshje për kuqezinjtë, ndaj trajneri Edy Reja natyrisht do të besojë te 29-vjeçari i Freiburgut, që në muajt e fundit është kthyer në formën e vet më të mirë.

Viti 2018 ishte për t’u harruar për “Pitbullin” tonë, por dëmtimi i rëndë është harruar tashmë dhe në 3 muajt e fundit Abrashi është kthyer të luajë rregullisht te Freiburgu, duke shënuar edhe për Shqipërinë, në fitoren në Andorrë.

Sot Abrashi është shfaqur para mediave në Durrës, duke folur për ndeshjet e radhës me kombëtaren.

Dëmtimi: “Kam nisur të luaj me Freiburg, në fund të sezonit kam ndier pak lodhje, por kam pasur pak ditë për pushim. Të shohim tani çfarë forme kam. Po të mos isha gati, nuk do isha këtu. Do jap gjithçka për ekipin, gjithçka është në dorën e trajnerit”.

Kombëtarja, një fillim i ri? “Kemi bërë shumë gabime, kemi marrë rezultate të mira e të këqija, tani kemi një trajner të ri dhe duam ta nisim mbarë me të”.

Reja dhe Panucci? “Nuk i krahasoj trajnerët, secili ka filozofinë e vet dhe rezultatet flasin vetë për ta“.

Sekreti i suksesit në kombëtare: “Shumë rëndësi ka që ekipi të qëndrojë sa më i bashkuar. Edhe kush nuk luan duhet të jetë gati për ekipin, pa qenë nervoz askush nëse nuk luan. Duhet dhënë zemra në fushë e në stërvitje, duke vrapuar pa fund”.

(Kosova Sot Online)