Aspektet kryesore të transferimit të mundshëm të Neymarit në Barcelonë e Real Madrid

  • 18 June 2019 - 09:39
Aspektet kryesore të transferimit të mundshëm të Neymarit në Barcelonë e Real Madrid

Neymari është në treg dhe gjithçka duket se sugjeron se ai do të transferohet ose në Real Madrid, ose në Barcelonë. Kjo do të thotë se topi tani është në fushën e Florentino Perezit dhe Josep Maria Bartomeut.

Për shkak të problemeve ligjore, lëndimeve dhe gjërave të tjera, drejtuesit e Paris Saint-Germainit janë të gatshëm ta shesin Neymarin gjatë afatit kalimtar të kësaj vere. E gjitha kjo situatë duhet të vlerësohet nga liderët e dy klubeve spanjolle, shkruan Marca.

Nasser Al Khelaifi e ka bërë të qartë në intervistat e fundit se Neymari duhet ta vlerësojë projektin e klubit si prioritetin e tij nëse dëshiron ta vazhdojë karrierën në Parc des Princes. Përndryshe, ai nuk është i dëshiruar në klub, edhe pse PSG-ja do të preferonte ta mbante atë në skuadër.

Pyetja tani është nëse tashmë është shumë vonë, pasi që Neymari nuk ishte pjesë e as Real Madridit e as Barcelonës para kësaj vere dhe për shkak të çmimit të lartë të tij. PSG-ja do të jetë e gatshme ta ulë çmimin e tij nëse lojtarë të tjerë përfshihen në marrëveshje, veçanërisht për Real Madridin.

(Kosova Sot Online)