Historia e karrierës së Ronaldos: Rrugëtimi i gjatë

  • 19 June 2019 - 11:47
Historia e karrierës së Ronaldos: Rrugëtimi i gjatë

Fillimet e Cristiano Ronaldos në Santo Antonio, një lagje malore në Funchal të Madeiras, nuk mund të kishin qenë më modeste.

Ai u lind më 5 shkurt të vitit 1985, fëmija më i vogël në familjen me katër fëmijë – dy vajza dhe dy djem. Nëna e tij, Maria Dolores dos Santos Aveiro, ishte kuzhiniere dhe babai i tij, Jose Dinis Aveiro, ishte kopshtar. Së bashku, ata punuan shumë për t’i plotësuar nevojat bazike të familjes.

Image

Ishte Jose ai që u sigurua që Cristiano ta kishte një fëmijëri të zhytur në futboll. Ai ishte pjesë e stafit të klubit lokal, Andorinha, dhe e udhëzoi djalin e tij drejt rrugës që e bëri atë njërin ndër futbollistët më të mirë në botë, një fytyrë të njohur për të gjithë botën dhe një person të identifikuar me vetëbesim, forcë dhe punë të palodhshme.

Karriera e Ronaldos në futboll e çoi atë nga Andorinha te Nacional e pastaj te Sporting CP, ku ai në fund nënshkroi kontratë si 12-vjeçar, pasi e kaloi një provë treditore të vështirë, në të cilën u dorëzuan shumë futbollistë të tjerë të rinj e më pak të motivuar sesa Ronaldo.

“Kur ai i ishte i vogël, ishte njëjtë si fëmijët e tjerë”, thotë Fernao Barros Sousa, kumbara i Ronaldos dhe figura kryesore për transferimin e portugezit në Nacional. “Por, ai kishte diçka që ishte ndryshe nga të tjerët dhe kjo ishte që ai luante shumë futboll edhe kur ishte shumë i vogël. Kur fëmijët e tjerë mësonin, ai i linte anash librat për të luajtur futboll”.

Kur arriti në Lisbonë, Ronaldos së ri iu testua forca e karakterit sërish. Kryeqyteti portugez ishte një vend i vështirë për një djalë të ri të vetëm dhe do të kishte qenë e lehtë për të që të dorëzohej për shkak të dyshimeve.

Joao Marques de Freitas, një agjent i Sportingut që luajti rol në transferimin e Ronaldos në kryeqytet, sqaroi: “Ishte shumë e vështirë për të të përshtatej në Lisbonë sepse njerëzit nga Madeira e kanë një theks shumë të ndryshëm nga këtu. Cristiano kishte probleme në shkollë, ata e përqeshnin dhe ai u rezistoi. Në një pikë, ai deshi të largohet, por për fat të mirë qëndroi. Ai e kaloi një periudhë të vështirë”.

Në fakt, Ronaldo ishte kthyer në shtëpi në një moment, mirëpo një bisedë me Barros Sousan e bindi atë të kthehet sërish në kryeqytet, pasi i la prapa dyshimet dhe e nisi rrugëtimin drejt statusit legjendar.

Por, sukseset nuk erdhën rastësisht. Edhe si lojtar i ri, etika e punës e Ronaldos ishte më e mirë se e të gjithë të tjerëve. Ish-bashkëlojtari i tij, Christopher Pilar, sqaron: “Ronaldo ishte ndryshe për shkak të gjithë punës që ai e bënte – jo vetëm gjatë stërvitjeve, por edhe pas stërvitjeve. Ai gjithmonë qëndronte dhe ushtronte për një gjysmë ore më shumë në gjërat që ishte më i dobët”.

“Mënyra se si ai stërvitej, mënyra se si ai i motivonte bashkëlojtarët e tij, mënyra se si ai i përmirësonte ata, vullneti i tij për të fituar, vullneti i tij për të lënë përshtypje të mira, ishte superiore ndaj gjithçkaje”.

“Ne të gjithë donim të luajmë futboll dhe t’i kënaqim prindërit tonë. Por, jo ai – ëndrra e tij nuk ishte t’ia bënte qejfin familjes së vet, por të gjithëve që e shikonin atë”.

Ronaldo vazhdoi me suksese të jashtëzakonshme në Sporting, duke luajtur vetëm për një sezon për ekipin e parë para se të të transferohej te njëri ndër klubet më të mëdha në botë, Manchester Unitedi.

Image

Si 18-vjeçar, ai nuk kishte bërë emër ende, por iu dha fanella me numër shtatë, e cila ishte veshur nga legjenda si George Best, Eric Cantona e David Beckham.

“Ka pasur shumë lojtarë që janë përshkruar si “George Best i ri”, por kjo është hera e parë që kjo është kompliment për mua”, kishte thënë irlandezi, një legjendë e “Djajve të kuq”.

I pajisur menjëherë me këto pritshmëri të mëdha, shumë futbollistë të tjera mund të mos e kishin përballuar presionin, por për portugezin kjo shërbeu vetëm si një burim i veçantë motivimi.

“Unë u detyrova t’i arrijë pritshmëritë e një nderi të tillë”, kishte thënë Cristiano në vitin 2007.

Wayne Rooney e lavdëroi ish-bashkëlojtarin e tij për vetëbesimin që e posedonte: “Nëse ka ndonjë person me më shumë vetëbesim sesa Ronaldo, unë nuk e kam takuar atë ende”.

Rreth zhveshtores, Ronaldo nuk frikësohej ta bënte të ditur se synonte të bëhej më i miri në botë. “Ai na thoshte se dëshironte të bëhej lojtari më i mirë në botë, se ai është i uritur për të qenë më i miri. Ambiciet e tij nuk ishin vetëm fjalë”, shtoi Rooney në autobiografinë e tij.

“Në zhveshtore, para sezonit 2006/07, unë vërejta diçka të re te ai. Ai ishte më i madh. Ishte kthyer nga Kupa e Botës në Gjermani në formë më të mirë fizike, sikur të kishte qenë duke ushtruar gjatë gjithë verës.

“Në fushë, para fillimit të sezonit, ai i bënte disa trike të mrekullueshme dhe gjithmonë i përfundonte vrapimet e tij mbresëlënëse me gola të mrekullueshëm”.

“E di një gjë – ky ndryshim te Ronaldo nuk ishte ardhur rastësisht. Ai punon jashtëzakonisht shumë. Kur e shikoja atë duke u stërvitur apo duke shënuar gola në ndeshjet miqësore, e dija se ai mund të bëhet lojtari më i mirë në botë.

Ronaldo fitoi gjithçka që e kishte në dispozicion në “Old Trafford”, përfshirë këtu të parin nga pesë Topat e tij të Artë, para se ta niste një sfidë të re në karrierë me Real Madridin.

Pasi e kishte ëndërruar transferimin në Bernabeu për një vit, ai më në fund e bëri realitet ëndrrën e tij, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në botë me çmimin prej 94 milionë eurove. Kur ai u prezantua para tifozët të klubit, i tërhoqi 80 mijë perona në stadium.

Vetëm më të mirët mund ta përballojnë presionin e të luajturit për një klub gjigant pas transferimin me një çmim aq të lartë, por Cristiano e dëshmoi vlerën e tij, duke e ngritur statusin e tij në botën e futbollit edhe më lart.

Natyrisht, ai u bë i njohur për sukseset e jashtëzakonshme në fushë, ku e dëshmonte veten në ndeshjet më të mëdha, sikur beteja “El Clasico” kundër Barcelonës, apo penalltia vendimtare në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit. Kur Real Madridit iu nevojit Ronaldo, Ronaldo u përgjigj.

Ai e rizbuloi veten atje, duke kaluar në pozitën e qendërsulmuesit për t’u bërë golashënuesi më i mirë në histori të klubit madrilen, duke i lënë pas vetes legjendat si Ferenc Puskas, Alfredo Di Stefano dhe Raul.

Mes atmosferës në Madrid, ku edhe legjendat binin pre e presionit, Ronaldo triumfoi, duke e ngritur standardin për të gjithë në skuadër. Përveç katër Topave të Artë, në Madrid Ronaldo i fitoi katër tituj të Ligës së Kampionëve, tre prej të cilave në tre sezone radhazi. Pasi u shpall tri herë radhazi kampion i Evropës, ai u transferua në Juventus dhe e përjetoi një sfidë të re në sezonin 2018/19.

Në Torino, ai u përball me të njëjtët kritikë, të cilët sugjeronin se ai ishte shumë i vjetër për çmimin 100 milionë euro që e pagoi Juventusi për të. Tri golat në shtatë paraqitjet e para të Serisë A tregojnë

se ai nisi nuk e nisi karrierën në Itali ashtu siç kishte dashur. Mirëpo, ai më vonë e dëshmoi veten kur e dërgoi Juventusin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ai e shënoi një het-trik të jashtëzakonshëm në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, për t’i ndihmuar Juventusit të kualifikohet në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 3:2, në atë që ishte parashikuar si përmbysje e pamundur e rezultatit.

Ajaxi ishte një kafshatë shumë e madhe për t’u përbirë për italianët, por Ronaldo kontribuoi me dy golat e vetme të tyre dhe u ndihmoi atyre ta sigurojnë edhe një tjetër titull të Serisë A.

Radhën e kishte sfida në frontin ndërkombëtar në Ligën e Kombeve. Ngjashëm si me klubin e tij, Ronaldo e frymëzoi skuadrën e tij të Kombëtares. Ai e kishte mundësinë ta shkruante historinë duke qenë kapiteni i skuadrës së parë që e fiton garën inauguruese të UEFA-s – shto këtu edhe prestigjin e të luajturit në shtëpi.

EURO 2004 i solli vetëm zhgënjim Ronaldos dhe bashkëlojtarëve të tij, pasi që ata humbën kundër Greqisë në finale, por ai e kompensoi atë dështim në Francë, 12 vjet më vonë, kur përkundër të gjitha parashikimeve, Portugalia u shpall kampione e Evropës.

Tani, 34-vjeçari synonte t’i sillte gëzim vendlindjes së tij sërish këtë verë. Zvicra tentoi t’ia prishë gëzimin në gjysmëfinale, mirëpo Ronaldo i shkatërroi ata me het-trikun e tij duke e siguruar fitoren me rezultat 3:1 në Porto.

Holanda ishte sfida e radhës e Portugalisë dhe Cristiano përfundoi si lider për t’ia fituar Portugalisë edhe një tjetër titull të madh: Portugalia u bë fituesja e parë e Ligës së Kombeve.

Ai është një njeri që e ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës së tij legjendare se ka një uri të jashtëzakonshme për t’i heshtur kritikët, të bëhet shembull për ata që duan të arrijnë suksese. Puna e palodhshme, përkushtimi dhe besimi i plotë në vete ka qenë zjarri që e ka bërë Ronaldon të pavdekshëm në lojën të cilën ai e adhuron.

(Kosova Sot Online)