Pogba telefonon trajnerin e ri të Juventusit, Sarrin

  • 21 June 2019 - 13:48
Pogba telefonon trajnerin e ri të Juventusit, Sarrin

Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, e dëshiron me ngulm transferimin në Juventus. Mediat italiane tani raportojnë se ai veçse e ka kontaktuar trajnerin e ri të Juventusit, Maurizio Sarrin.

Dje, Maurizio Sarri u zyrtarizua si trajneri i ri i Juventusit dhe vetëm disa orë më vonë, sipas Tuttosport, italiani e mori një telefonatë nga Paul Pogba.

Gjatë bisedës mes tyre, Pogba e theksoi se e dëshiron me të vërtetë transferimin në Juventus, por edhe ia uroi Sarrit punën e tij të re.

26-vjeçari dëshiron të largohet nga Old Traffordi dhe të dielën tha se tani është momenti i duhur për ta provuar ndonjë sfidë të re diku tjetër.

Real Madridi është interesuar që një kohë të gjatë për mesfushorin francez, por Sky Sports Italia raporton se Pogba do ta preferonte një transferim në Juventus, tre vjet pasi u largua nga ta për Unitedin, për një shumë që atëherë e theu rekordin (89 milionë funte).

Mesfushori francez ka kontratë në Old Trafford deri në vitin 2021 dhe Manchester Unitedi dëshiron ta mbajë atë në skuadër. Mirëpo, pas tri sezoneve me ta, Pogba tha në një intervistë se ky momenti i duhur për ta përjetuar një sfidë të re.

Se a do të jetë kjo sfidë e re në Juventus apo në Real Madrid mbetet ende e paqartë. Megjithatë, Juventusi besohet se është favoriti për t’i siguruar shërbimet e francezit për sezonin e ardhshëm. 

(Kosova Sot Online)